Më 27 prill, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe ai i Prishtinës, Përparim Rama, kanë inauguruar nisjen e projektit për ndërtimin e rrugës “Jim Xhema”, e njohur si rruga A.
Kontratën që peshon 8.5 milionë euro e ka fituar kompania private nga Kaçaniku, “Sallahu SH.P.K“, shkruan Gazeta Insajderi.
Pronari i kësaj kompanie zyrtarisht është Lulzim Sallahu, por mbrapa tij qëndron vëllau u tij, Naimi, që është i dënuar për mashtrim me prokurimin publik.
Pavarësisht kësaj, ky i fundit u pa në ditën e nisjes së punimeve në vend të ngjarjes bashkë me Abdixhikun e Ramën, fakt ky që nuk i shqetësonte dyshen e LDK-së, shkruan Gazeta Insajderi.
E pikërisht për këtë tenderë milionësh, Gazeta Insajderi i kishte shkruar Komunës së Prishtinës më 15 mars, kur kishte marrë vesh se Zyra e Prokurimit të Përparim Ramës e kishte rekomanduar për tenderë kompaninën “Sallahu SH.P.K“.
E përgjigje për këtë temë ka marrë sot, saktësisht pas 35 ditësh [ose 49 ditë nëse numërohen edhe ditët e fundjavave] nga dërgimi i pyetjeve në adresën e kryetarit Përparim Rama, nënkryetarit Alban Zogaj dhe zëdhënëses Arlinda Kastrati.
Në përgjigje thuhet se pronar i kompanisë që ia kanë dhënë tenderin është Lulzim Sallahu, dhe se i njëjti i ka ofruar të gjithë dokumentet, përfshi edhe atë se nuk është i dënuar nga drejtësia.
“Nënshkrimi i kontratës ka ndodhur vetëm atëherë kur janë shtjerrur të gjitha mjetet juridike dhe është ri konfirmuar disa herë me radhë se në këtë rast nuk ekziston asnjë shkelje ligjore dhe rrjedhimisht mund të vazhdohet me dhënien e kontratës”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës për Gazetën Insajderi të kthyer pas 49 ditësh.
Por, organizata joqeveritare AVONET, ka gjetur se Naim Sallahu, i dënuari për mashtrim me prokurimin publik nuk është krejt pa rol në kompaninë “Sallahu SH.P.K“.
“Dokumentacioni i ofertës së Sallahut në aktivitetin e prokurimit të projektit me titullin: “Ndërtimi i rrugës A – pjesa e parë” tregon se N. S. është zyrtar i OE “Sallahu SH.P.K”, duke figuruar në listat e pagave dhe deklarimeve vjetore për tatimin në të ardhurat e korporatave, dhe në noterizimin e certifikatës ISO dhe poashtu ai ishte prezent edhe në fillimet e punimeve“, thuhet në reagimin e AVONET, shkruan Gazeta Insajderi.
Derisa sipas Ligjit të Prokurimit Publik zyrtari i kompanisë, këtë rast punonjësi, drejtuesi, menaxheri ose drejtori që është i dënuar me një aktgjykim të formës së prerë nuk ka të drejtë të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose ekzekutim të kontratës.
Rrjedhimisht ai e ka të ndaluar që të jetë konkurrent në tenderët publikë, shkruan Gazeta Insajderi.
Për këtë arsye AVONET ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të hetohet tenderi me vlerë 8 milionë e 497 mijë euro i Komunës së Prishtinës me kompaninë “Sallahu SH.P.K”.
Gazeta Insajderi i ka shkruar Prokurorisë Themelore të Prishtinës, pasi rasti ka kaluar tek ta, për t’i pyetur se a kanë nisur hetimet ndaj kontratës milionëshe të Komunës së Përparim Ramës, por ende nuk ka kthyer përgjigje.
Shiko edhe:
Lexo edhe: