×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Tenderi 8.5 milionësh i Ramës, Prokuroria nis hetimet edhe për bordin e OSHP-së

    Insajderi
    15 May 2023 - 16:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në tenderin prej 8.5 milionë eurosh për ndërtimin e Rrugës A në Prishtinë, që iu dha firmës “Sallahu”, ku pronari i saj ishte dënuar për mashtrim, rol ka luajtur edhe OSHP-ja. Pretendimet se ky mekanizëm nuk shqyrtoi ankesat, që mundësuan që të fitonte “Sallahu” janë dërguar në Prokurori. Për Insajderin nga Prokuroria në Prishtinë kanë konfirmuar nisjen e hetimeve.

    Gazeta Insajderi

    I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e i pari i Prishtinës nga kjo parti, Kryetari Përparim Rama  javë më parë ishin shfaqur bashke në nisjen e projektit për ndërtimin e rrugës “Jim Xhema”, e njohur si rruga A. Projekti ka vlerën e afro 8 milionë euro e gjysmë.

    Tenderin në këtë projekt Komuna e Prishtinës ia dha firmës “Sallahu”, derisa pronari i saj Naim Sallahu është i dënuar për mashtrim nga Gjykata Themelore e Prishtinës vitin 2018.

    Sallahu, që ishte parë në këtë ceremoni bashkë me Abdixhikun e Ramën në të njëjtën fotografi, sipas vendimit të Themelores e që është vërtetuar edhe nga Apeli e ka të ndaluar që të marrë pjesë në prokurime publike për një periudhë 10 vjeçare- deri më 2028.

    Por, përtej kësaj, sipas dokumenteve që i posedon Insajderi, e që janë deponuar në Prokurorinë e Shtetit, në dhënien e këtij tenderi rol ka pasur edhe Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP).

    Kundër dhënies së tenderit për firmën “Sallahu” kishte pasur ankesa në OSHP. Por, ky institucion mori vendimin  me numër 144/23, sipas të cilit janë refuzuar ankesat e firmave të tjera që ishin në garë pio për të njëjtin tenderi që komuna e drejtuar nga LDK-ja ia dha firmës “Sallahu”.

    “OSHP ka nxjerrë vendimin me PSH nr. 144/23 dhe ka refuzuar ankesat e OE, dhe po ashtu nuk ka marrë parasysh asnjë nga të gjeturat që AVONET ka identifikuar në dosjen e ofertës së Operatorit Ekonomik “Sallahu” sh.p.k me nr unik 810135237. OSHP nuk ka trajtuar as pretendimin e ankesës së operatorit ekonomik, dhe kjo është tejet shqetësuese për AVONET-in. Po ashtu, rritet dyshimi për mënyrën e vendimmarrjes, që për AVONET-in është një vendim i cili ka elemente të dyshimta. Kjo për AVONET-in krijon dyshimin se ky vendim nuk ka trajtuar në mënyrë të barabartë palet, dhe paneli shqyrtues ka ikur nga përgjegjësia duke përjashtuar edhe palët e interesit. Kjo krijojnë dyshimin për njëanshmëri, duke lënë vendimin e AK të plotfuqishëm”, thuhet në denoncimin që ka shkuar në Prokurori.

    Insajderi ka parë komunikimin mes Prokurorisë së Shtetit dhe asaj Themelore në Prishtinë, ku kësaj të fundit për inicim të procedurës i janë dhënë udhëzime për tre emra nga OSHP-ja: kryetarit te panelit në rastin e Rrugës A, Vedat Poterqani, dhe anëtarët e këtij paneli, Agon Ramadani dhe Kimete Gashi.

    “Mund t’iu njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka iniciuar rastet në fjalë, mirëpo në këtë fazë nuk mund të japim detaje të tjera për shkak të ruajtjes së integritetit të procedurës”, i ka thënë Gazetës Insajderi Zëdhënësja e Prokurorisë në Prishtinë, Laureta Ulaj.

    Përparim Ramën e nervozon pyetja e gazetares së Insajderit

    Ekipi i Gazetës Insajderi ditën kur u nis projekti i Rrugës A i kishte bërë një pyetje kryetarit Rama. Ishte kjo: Si ndodhi që tenderi u fitua nga kompania e të dënuarit për mashtrim?

    Kjo pyetje nuk i pëlqeu Ramës. Por, ai zbuloi diçka gjatë përgjigjes së tij. Rama ishte jashtëzakonisht i informuar për kalimin zyrtar të pronësisë nga vëllai i dënuar te ai i padënuar.

    “Kjo nuk është e vërtetë se kompania është e dikujt tjetër dhe jo e atij personit. Në aspektin ligjor është e ligjshme nuk bëjmë asgjë të kundërligjshme ka tendenca të juaja apo të dikujt tjetër për ta njollosur na jemi duke i shkuar në mënyrë ligjore nga fillimi deri në fund“, tha Rama.

    Si përfundoi tenderi i madh te pronari i dënuar për mashtrim?

    Komuna e Prishtinës me datë 24.02.2023 ka rekomanduar për dhënien me kontratë të Grupit të Operatorëve Ekonomik “SALLAHU” shpk dhe ALTIS CONSTRUCTION Ltd me vlerë prej 8,497,801.66 €.

    Kjo kontratë ishte dhënë për ndërtimin e rrugës A.

    AVONET gjatë hulumtimit të aktivitetit të prokurimit në Komunën e Prishtinës kishte identifikuar se Naim Sallahu, pronari i mëparshëm i “Sallahu” sh.p.k ka Aktgjykim të formës së prerë dhe është fajtor për kryerjen e veprës penale: falsifikim i dokumentit zyrtar.

    Komuna e Prishtinës kishte mohuar këto akuza duke thënë se lajmet se është shpallur fitues i dënuari për mashtrim” është i tërësisht i pasaktë dhe i pavërtetë”.

    “Komuna e Prishtinës si autoritet kontraktues ka kërkuar nga operatori ekonomik që në përputhje me nenin 65 të Ligjit në fuqi për Prokurimin Publik, të dorëzoj dëshminë nga gjykata kompetente se pronari dhe përfaqësuesi i saj nuk kanë qenë të dënuar për vepër penale në të paktën dhjetë (10) vitet e fundit. Rrjedhimisht “Sallahu” Sh.P.K. fillimisht përmes certifikatës së biznesit dhe dokumenteve tjera nga ARBK ka dëshmuar se pronar dhe përfaqësues i saj është personi me inicialet “L.S.”, thuhej në reagim.

    Sipas ligjit operatori ekonomik nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse operatori i tillë ekonomik, ndonjë drejtues, menaxher ose drejtor i saj gjatë dhjetë viteve të kaluara është shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente për kryerjen e një vepre penale ose civile duke përfshirë praktikat e korrupsionit, larjen e parave”.

    Kështu, më 29 janar 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Naim Sallahut për veprën penale “Falsifikim i dokumentit”.

    Naim Sallahu, pronar i kompanisë N.N.T “Sallahu”, ishte ngarkuar me veprën penale “Falsifikim të dokumentit”, pasi që thuhet se me rastin e paraqitjes së ofertës në MI lidhur me tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale kishte paraqitur dokument të falsifikuar me vërtetim tatimor kinse ka kryer obligimet tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës.

    Ai u dënua me gjashtë muaj burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë për falsifikim të dokumentit zyrtar.

    Dënimi me burgim ndaj tij ishte zëvendësuar me pagesën e gjobës prej tre mijë euro./Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark