×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Tenderi 80 mijë euro i komunës së Prishtinës për dezinfektim përfundon në OSHP, një kompani hedh akuza për kritere që rrezikojnë shëndetin

    Insajderi
    14 November 2024 - 14:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një tender i hapur nga Komuna e Prishtinës për dezinfektimin, deratizimin dhe dezinsektimin e objekteve publike shëndetësore, prej 80 mijë eurove, ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Një kompani ka hedhur akuza për përdorimin e substancave toksike në këtë tender. Ekspertja e këtij institucioni në raportin shqyrtues ka gjetur parregullsi duke kërkuar që ankesa të aprovohet si e bazuar.

    Komuna e Prishtinës me 20 shtator kishte hapur tenderin për “dezinfektim, dezinsektim dhe deratizim (DDD) të 36 objekteve publike shëndetësore”.

    Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ishte 80 mijë euro.

    Mirëpo një kompani është ankuar duke pretenduar se kriteret e cekura janë rrezikim të shëndetit të stafit dhe pacientëve.

    Doctor Exterminator DDD Sh.P.K., është kompania që ka ngritur ankesë për përdorimin e substancave toksike dhe specifikimeve teknike të rrezikshme, që sipas saj janë vendosur pa kritere të sigurta për shëndetin.

    Procesi i tenderit u pezullua, pasi një kompani pretendoi se në dosjen e tenderit janë përdorur kritere në kundërshtim me ligjin dhe të dëmshme për shëndetin.

    Komuna e Prishtinës kishte hedhur poshtë këtë pretendim, por kompania kërkoi shqyrtimin e tyre.

    Kompania Doctor Exterminator DDD ka akuzuar Komunën e Prishtinës për shkelje të disa neneve të Ligjit për Prokurimin Publik, përfshirë nenet 1, 5, 6, 7 dhe 9, që garantojnë një proces të drejtë, transparent dhe të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë.

    Sipas ankesës kompania pretendon se disa nga substancat e kërkuara, si Disodium Octaborate Tetrahydrate, janë të njohura për rrezikshmërinë e tyre.

    Kjo substancë, sipas kompanisë, përdoret zakonisht për trajtimin e trungjeve të pemëve dhe është tepër toksike për shëndetin e stafit dhe pacientëve që frekuentojnë objektet publike.

    “Nëse përdoret në mjedise të tilla, substanca mund të sjellë pasoja të rënda për shëndetin e njerëzve”, thuhet në ankesën e kompanisë në OSHP.

    Kompania gjithashtu ngriti shqetësime për dinotefuran 40%, një substancë tjetër e kërkuar që përdoret kryesisht në bujqësi dhe nuk është autorizuar për përdorim në listën e produkteve biocide në Kosovë. Përveç substancave, kompania kontestoi edhe pajisjet e kërkuara, si gjeneratori elektrostatik ULV me kapacitet 350 litra, i cili konsiderohet i rrezikshëm në mjedise me prani të stafit dhe pacientëve.

    Sipas Doctor Exterminator DDD, këto specifikime të rrezikshme janë vendosur në kundërshtim me standardet e sigurisë shëndetësore dhe pa një analizë të mirëfilltë të rrezikut. Kompania thekson se mungesa e transparencës dhe publikimi i vonuar i specifikimeve teknike, 13 ditë pas shpalljes së tenderit, ka favorizuar disa operatorë ekonomikë dhe ka krijuar një precedent të rrezikshëm për prokurimin publik.

    Ekspertja shqyrtuese, Teuta Krasniqi, ka nxjerrë një raport ku i rekomandon Panelit Shqyrtues të detyrojë Komunën e Prishtinës të përmirësojë dosjen e tenderit dhe të zgjasë afatin për ofertim. (Linku i raportit)

    Çka thuhet në raportin e ekspertit shqyrtues?

    Ekspertja shqyrtuese, Teuta Krasniqi, bazuar ankesave të kompanisë, disa pretendime i ka hedhur poshtë, ndërsa disa të tjera i ka miratuar.

    OE ankues pretendon se kërkesa për 15 punonjës të certifikuar për siguri dhe shëndet në punë është e panevojshme për këtë aktivitet prokurimi dhe favorizon operatorë të caktuar. Ekspertja konsideron se kjo kërkesë është e tepruar dhe rekomandon që të ulet numri i kërkuar në maksimum 2-3 persona të tillë.

    Operatori Ekonomik “Doctor Exterminator DDD” shpk – Prishtinë pretendon se Autoriteti Kontraktues (AK), Kuvendi i Komunës së Prishtinës, nuk ka respektuar qëllimin e nenit 7 të Ligjit për Prokurim Publik (LPP).

    Ekspertja thekson se ky nen ka për qëllim udhëzimin e autoriteteve kontraktuese që të trajtojnë të gjithë operatorët ekonomikë në mënyrë të barabartë, pa diskriminim dhe me transparencë gjatë udhëheqjes së procedurave të prokurimit. Pretendimi i OE-së është se AK ka shkelur nenin 7 të LPP-së dhe ka kontestuar tërësisht dosjen e tenderit.

    Ekspertja sqaron se ky pretendim është pjesërisht i bazuar, pasi AK nuk ka ndërmarrë veprime për të korrigjuar dosjen e tenderit kur janë paraqitur pretendimet nga OE-ja, ku është konstatuar se disa kritere nuk janë në përputhje me qëllimin e nenit 7 të LPP-së. Ky pretendim do të shpjegohet më poshtë në detaje. Prandaj, ekspertja konstaton se pretendimi është pjesërisht i bazuar.

    Tutje, OE “Doctor Exterminator DDD” shpk – Prishtinë pretendon se Komuna nuk ka respektuar qëllimin e neneve 9 dhe 28 të LPP-së.

    Ekspertja thekson se neni 9 i LPP-së ka për qëllim udhëzimin e autoriteteve kontraktuese për të bërë vlerësimin dhe përcaktimin e nevojave, si dhe për t’i regjistruar ato me shkrim dhe për t’i ruajtur në dokumentacionin e AK-së. Pas kësaj, informacionet duhet t’i dërgohen Zyrës së Kontrollit Financiar (ZKF) për të konfirmuar ekzistencën e mjeteve financiare.

    Gjithashtu, ekspertja thekson se neni 28 i LPP-së udhëzon autoritetet kontraktuese për përpilimin e specifikimeve teknike, që të sigurojnë qasje të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë dhe tenderuesit, duke ndaluar hartimin e specifikimeve teknike që favorizojnë ose diskriminojnë një apo më shumë operatorë ekonomikë.

    OE pretendon se AK ka shkelur nenet 9 dhe 28 të LPP-së, duke mos specifikuar qartë detajet e dosjes së tenderit, përfshirë specifikat teknike që janë publikuar me vonesë. Ekspertja sqaron se pretendimi i OE-së pjesërisht qëndron, por ky pretendim nuk ka ndikim përcaktues për përfundimin e këtij aktiviteti të prokurimit, pasi AK ka publikuar specifikat teknike para dorëzimit të kërkesës për rishqyrtim nga OE-ja.

    Gjithashtu, OE ankues pretendon se në pikën 7.1 dhe 7.2 për përshtatshmërinë profesionale në dosjen e tenderit janë vendosur kritere diskriminuese. Për pikën 5, kontestohet lëshimi i certifikatave vetëm në versionin shqip, ndërkohë që ato zakonisht lëshohen në anglisht.

    Ekspertja sqaron se ky pretendim qëndron, sepse certifikatat e lëshuara në anglisht janë të pranueshme sipas LPP-së, por AK mund të kërkojë përkthim të licencuar në shqip. Pretendimi për pikën 5 trajtohet si i bazuar.

    Në lidhje me pikën 6, OE ankues konteston dy standardet ISO (ISO 9001-2018 dhe ISO 140001-2018), duke argumentuar se ato nuk ekzistojnë. Ekspertja konfirmon se pas hulumtimeve nuk ka hasur në këto standarde dhe udhëzon AK-në që të verifikojë përsëri numrat apo vitet e certifikatave të kërkuara në tender.

    OE ankues pretendon gjithashtu se termi “produkte të përfshira” është i paqartë dhe ka kërkuar ndryshimin e tij. Ekspertja sugjeron që AK ta zëvendësojë këtë term me “shërbime”, nëse ankesa aprovohet nga Paneli Shqyrtues.

    Përfundimisht, OE ankues ka kontestuar kërkesën për leje importi për produkte biocide dhe insekticide, duke argumentuar se nuk ka specifika teknike që kërkojnë këto produkte. Ekspertja konstaton se ky pretendim është i bazuar, pasi kërkesa për leje importi është e panevojshme në mungesë të specifikimeve të tilla teknike.

    Në fund ekspertja e OSHP-së rekomandon që Komuna e Prishtinës të bëjë përmirësimet e kërkuara dhe ta zgjasë afatin për ofertim.

    “Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa
    e OE ankues të aprovohet si e bazuar, AK të bëjë përmirësimet në dosje të tenderit dhe të zgjasë afatin
    për ofertim
    “, thuhet në rekomandimin e ekspertit shqyrtues.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark