Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni ka vendosur që ta shpërbleje me tender për “renovimin e stadiumit të Gjilanit” grupin e operatorëve ekonomik që dhanë ofertën më të shtrenjtë, 14 milionë e 997 euro. Deri tek nënshkrimi i këtij tenderi dyshohet se janë kryer një sërë shkeljesh. Duke filluar nga menaxheri i zyrës së prokurimit i cili mundësoi nënshkrimin e këtij tenderi e deri të pronarët e kompanive të përzgjedhura. Rreth dhënies së këtij tenderi vërejtje ka edhe shefi i këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit.
Avdyl Aliu i tha Insajderit se shihet qartë që ky tender është i kurdisur, sipas tij pa arsye është përzgjedhur operatori më i shtrenjtë.
“Këta stadiumin e kanë gjetë me 4 milionë euro investime e janë shtu edhe 15 milionë e po del që është një çmim shumë shumë i madh, është shumëfishëshu pa arsye por edhe në përzgjedhje të operatorit masanej janë kanë tri oferta, është zgjedh operatori më i shtrenjtë pa kurrfarë arsye”.
“Është interesantë që është ditë që është buxheti 15 milionë e operatori që ka konkuru me marrë punën e që e ka marrë e ka dhënë ofertën 14 milionë e 997 euro do të thotë e ka lënë pra për 2 mijë e diçka euro se kanë plotësu 15 milionëshin, që është ditë që është kështu tamam e kurdistë”, tha ai për Insajderin.
Shefi i këshilltarëve të LDK-së në Gjilan hodhi dyshime mbi nënshkrimin e dhënë nga Kujtim Bajrami, menaxheri i kësaj kontrate në kuadër të OSHP-së.
U shpreh se nga 10 të kualifikuar vetëm Bajrami pranoi ta nënshkruaj këtë kontratë.
“Procedurat janë shkel për arsye se kur është hap tenderi, afati i caktuar kohorë që duhet me u shpallë përfituesi e që është vonu tejmase, është vonu shumë, me muaj, për arsye sepse edhe përkundër faktit që ka në Komunë të Gjilanit të çertifikum për me nënshkru një tender me vlerë kaq të madhe, nuk ka pranu asnjë prej të certifikuare e që janë në komunë të Gjilanit 9 ose 10 me nënshkru duke e ditë që ka shkelje dhe kurdisje dhe nuk ka pranu, dhe i vetmi që ka pranu me nënshkru është ky që thatë ju (Kujtim Bajrami), e kanë prit bile me u certifiku ky që ky me nënshkru” deklaroi ai.
“Demiri Gartenbau”, “Avag Group SH.P.K”, “El-Bau Sh.P.K”, “Bujar Shabani B.I” “Kosova Asfalt” dhe “Teuta-M”, janë grupi i operatorëve ekonomik që dhanë ofertën më të shtrenjtë për renovimin e stadiumit të Gjilanit, ndërkohë që në garë ishin edhe dy grupe tjera me oferta më të lira.
Gazeta Insajderi ka mësuar se Kujtim Bajrami, menaxheri i zyrës së prokurimit ishte personi i vetëm që pranoi t’a nënshkruaj këtë tender milionësh.
Madje, ishte pikërisht mos certifikimi i tij që ndikoi që përzgjedhja të shtyhet, pra derisa ai u certifikua.
Nga burime të sigurta është mësuar se Kujtim Bajrami është mik i kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni.
Insajderi ka kontaktuar Bajramin por i njëjti ka kërkuar të presim përgjigje nga Zyra për Informimin në Komunën e Gjilanit.
Kush e fitojë tenderin?
Me 31 maj, Komuna e Gjilanit e cila udhëhiqet nga Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje i dha tenderin për renovimin e stadimut të Gjilanit grupit të operatorëve ekonomik “Demiri Gartenbau”, “Avag Group SH.P.K”, “El-Bau Sh.P.K”, “Bujar Shabani B.I” “Kosova Asfalt” dhe “Teuta-M”.
Grupi ky me ofertën më të shtrenjtë. Pronarët e këtyre kompanive mësohet se kanë ndërlidhje me njëri-tjetrin.
Drejtues dhe sponsorët e klubit futbollistik Gjilani janë përfitues të këtij tenderi, Pronari i kompanisë El-Bau, Fatlum Pireva dhe pronari i kompanisë “Demiri GartenBau GmbH” Qëndrim Demiri janë aksionarë në klubin e futbollit “KF Gjilani”.
Përpos drejtueseve të klubit të Gjilanit përfitues del të jetë edhe Bujar Shabani, miku i Hysen Durmishit të Vetëvendosjes, si dhe firma “AVAG” e cila është në pronësi të punëtorit të firmës tjetër përfituese të tenderit, kompanisë “El-Bau” të Fatlum Pirevës.
Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Komuna e Gjilanit, përkatësisht kryetari Alban Hyseni mbi këtë çështje por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri tani.
/Insajderi