×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Tenderi afro 2 milionë euro në Lipjan- ‘Palestra Sportive’ që Imri Ahmeti ia preu shiritin para një viti, mbetet jo funksionale

    Insajderi
    10 October 2024 - 15:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Imri Ahmeti i Lipjanit në nëntor të 2023’tës ia kishte prerë shiritin objektit të Palestrës Sportive e cila kishte kushtuar afro 2 milion euro. Por, tani pas një viti, kjo palestër nuk është në funksion. Nga opozita thonë se edhe uji hynë në sallën e kësaj palestre. Madje sipas këtyre pretendimeve të punësuarit në këtë palestër marrin paga, pa qenë në funksion objekti. Insajderi ju sjell detaje.

    Gazeta Insajderi

    Në vitin 2019 komuna e Lipjanit, kishte dhënë tenderin për “Ndërtimin e Palestrës së re Sportive në Lipjan”.

    Vlera e përgjithshme e kësaj kontrate kishte qenë 1 milion e 748.298,89 euro. Kontrata kishte qenë tre vjeçare, mirë përurimi i kësaj palestre u bë tek në vitin 2023.

    Mirëpo, edhe pse u finalizua në nëntor të vitit të kaluar, si duket kjo palestër nuk është funksionale.

    Vetë kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, me 28 nëntor të 2023 kishte njoftuar se është përuruar palestra sportive.

    “Tanimë sportistët e Lipjanit do të kenë një sallë të sportit e cila i plotëson të gjitha kushtet për zhvillimin e ndeshjeve sportive e pse jo të jetë edhe nikoqire e organizimeve të mëdha sportive ashtu siç po shërben stadiumi i qyteti të Lipjanit për organizimin e ndeshjeve të sportit”, kishte thënë Ahmeti.

    Shefi i Grupit Parlamentar i PDK’së, në Lipjan, Arsim Jashari tha për Insajderin se është bërë një vit që kur i është prerë shiriti dhe nuk është në funksion.

    Madje ai theksoi se kanë punësuar persona që marrin paga, ani pse palestra nuk është e hapur.

    “Është bërë 1 vit që kur u përurua, por është jofunksionale, janë dhënë afro 2 milion euro për të. Ekipet sportive shumë të mira, mos me mujtë me zhvillu ndeshje ndërkombëtare edhe kombëtare. Kemi ekipe që janë në superliga që kanë nevojë me shfrytëzu atë sallë por nuk munden se është jofunksionale. Kanë punësuar njerëz të vetë aty, të cilët marrin paga por palestra nuk funksionon”, deklaroi Jashari.

    Jashari ka shtuar se ai ka informacione se ka hyrë uji brenda sallës sportive.

    Lidhur me këtë palestër kishte pasur reagime edhe nga opozita para tetë muajve, ku raportohej se gjendja e saj është e mjerueshme.

    “Ende pa filluar shfrytëzimi bëhet për renovim, e dy muaj nga përurimi del nga përdorimi. Por komunës e Kryetarit nuk i bëhet vonë”, thuhej në një reagim të VV në Lipjan.

    Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në komunën e Lipjanit, por të njëjtit deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigje./Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark