Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka vendosur ta ndërprejë kontratën me operatorin e papërgjegjshëm ekonomik “A.L. DUSHI SH.P.K.” për shërbimet postare diplomatike. Kontrata kishte vlerën e 250 mijë eurove. MPJD në arsyetimin e tyre për shkëputjen e kontratës thuhej se ka pasur ankesa nga konsullata të ndryshme. Në mesin e ankesave, ambasadat thuhej se kishin pranuar zarfa të dëmtuara. Po ashtu, nuk kishin dërguar as mbi 400 pasaporta e 165 letërnjoftime dhe katër vendime për lirim ose fitim shtetësie. Por, për këtë operator ekonomik MPJD’ja insistonte që t’i jepej kontrata, meqë dyshonte tek konkurrenti tjetër.
Gazeta Insajderi
Insajderi ka arritur ta shohë dokumentin që dëshmon ndërprerjen e kontratës me operatorin ekonomik “A.L. DUSHI SH.P.K.”. Në arsyetimin e ministrisë së jashtme thuhet se tri dërgesat e para operatori ekonomik s’I ka respektuar afatet kohore.
“Me date 26.06.2024 në cilësinë e menaxherit të kontratës kam paralajmëruar operatorin për vërejtje për respektim të afateve, por edhe përkundër kësaj me rastin e dërgesës së 3-të, dërgesë kjo e cila është nisur ditë e Merkurë datë 03.07.2024 përsëri nuk ka arritur në destinacion konkretisht ne misionet tona diplomatike dhe konsullore edhe pas 48 orësh, kjo tregon se OE nuk po u përmbahet afateve kontaktuale, andaj u vendos vërejtja e parë me shkrim. Vërejtja është bërë me shkrim dhe e protokolluar ku e njëjta ju është dërguar edhe Operatorit me datë 05.07.2024”, thuhet në vendim.
Në dokument thuhet se për operatorin ekonomik kishte marrë dy ankesa nga dy ambasada të ndryshme. E para kishte të bënte me ambasadën e Kosovës në Romë të Italisë më 1 korrik të këtij viti, të cilët kanë pranuar zarfa në gjendje të dëmtuar. Ndërkaq, ankesa e dytë vjen vetëm dy javë më vonë nga ambasada e Kosovës në Bern të Zvicrës. Në ankesë thuhet se ka nisur postë diplomatike, por e ka dërguar jashtë ndërtese.
“Me datë 17.07.2024 ditë e mërkurë, Ambasada e RKS-së ne Bern përmes telefoni ka dërguar një Shqetësim me Foto dhe Video qe posta diplomatike e nisur nga MPJD, Operatori/UPS nuk e ka dorëzuar ne Ambasadë, por vetëm e kanë lënë ne postë qe është jashtë ndërtese e cila postë shfrytëzohet për letra te vogla por jo për dërgesa qe janë me kilogram e qe kërkohet nënshkrim të pranim dorëzim”, vijon arsyetimi i MPJD.
Po ashtu, potencohet edhe shqetësimi që u bë bujë përgjatë ditës së djeshme: mos-arritja e 406 pasaportave, 165 letërnjoftimeve dhe katër vendime për lirim apo fitim të shtetësisë.
Në bazë të detajeve të kostos, bëhet e ditur se vlera totale e kontratës është 250 mijë euro dhe se pagesat operatorit ekonomik i janë kryer për dy muaj. Pra, ka dëmtuar buxhetin për 22 mijë euro duke mos kryer shërbime cilësore.
“Përveç vonesave te identifikuara me theks, ka pas edhe raste tjera qe dërgesat ne disa vende kanë shkuar 1-2 dite vonese, gjithashtu disa raste kur kemi pas dy pako ne një qytet njëra pako ishte ne kohe ndërsa tjetra ndalohej ne verifikim te autoritetet doganore (sipas OE)”, vijon arsyetimi i MPJD’së.
Si insistonte MPJD’ja t’ia jepte tenderin kësaj firme?
Insajderi në qershor të këtij viti kishte raportuar se si pronarja e “A.L. DUSHI SH.P.K” ishte pjesë e një kampanje që me emrin “SheInspires” ku po promovoheshin bizneset me pronare gratë.
“Pjesë e kampanjës digjitale nën sloganin #iwd2021kosovo organizuar nga She Inspires dhe EBRD Kosovë & Shqipëri dhe në bashkëpunim me U.S. Embassy Pristina, Kosovo leadership and staff. Xhylizare Selimi Dushi, Drejtuese -AL DUSHI Laundry&Dry Cleaning”, thuhet në këtë njoftim të vitit 2021.
Kontrata që iu dha firmës ishte kornizë për tri vite në një vlerë prej 250 mijë eurosh.
Bazuar në procesverbalin e hapjes se çmimit total të ofertës me poentim i kompanisë tjetër garuese “3P” SH.P.K ka qenë 230.40 euro ose 466 % më pak se e kompanisë fituese. Por, oferta e kësaj kompanie ishte vlerësuar e papërgjegjshme nga ministria dhe nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.
Në garë për këtë tender dhe që kishte bërë edhe ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit ishte edhe firma ” 3P ” SH.P.K., pronë e vëllezërve Fiton e Vijon Peja.
“Refuzohet si e pa bazuar ankesa e OE “3 P Sh.P.K.” me nr. 2024/264 ,e datës 25.03.2024, ndërsa vendimi i AK, lidhur me aktivitetin e prokurimit “Shërbimet postare Diplomatike-Ri tender” me nr. të prokurimit: “216-23-13152-2-1-1” iniciuar nga autoriteti kontraktues “Ministria e Punëve të Jashtme, mbetet në fuqi”, thuhej në vendimin e OSHP-së.
Vetë kompania në fjalë ishte nisur nga pretendimi që është më e lirë, dhe atë me përqindje deri në 466%, por pikërisht kjo ishte edhe arsyeja që e bëri MPJ-në të dyshonte në biznesmenët pejan.
“Autoritetet kontraktuese do të kërkojnë nga operatorët ekonomik për të shpjeguar çmimin e ofruar për tenderët e përgjegjshëm, kur të përmbushen të gjitha kushtet e mëposhtme: i. çmimi i ofruar është më shumë se 30% më i ulët se çmimi mesatar i tenderëve të përgjegjshëm”, thuhet në Ligjin e Prokurimit.
Këtë e kishte bërë edhe MPJ-ja.
“MPJD përmes letrës standarde për informata jo normalisht te ulëta ka kërkuar tek operatori ekonomik ankues sqarim ne lidhje me tenderët jo normalisht te ulët , mirëpo OE ankues nuk ka kthyer përgjigje ne lidhje me ketë pikë me arsyetimin se kemi te bëjmë me gabim teknik”, u tha në vendimin e OSHP-së.
Derisa “3P” Sh.P.K nuk iu ktheu përgjigje në MPJ se pse e ka këtë çmim kaq të ulët, OShP-ja e kishte marrë si veprim të drejtë të kësaj ministrie që ta eliminonte nga gara.
“Pavarësisht, kësaj se a është plotësuar kushti për të kërkuar sqarime shtesë apo jo, çdo herë kur AK kërkon sqarime shtesë OE pjesëmarrës janë të obliguar të ju përgjigjen kërkesave të AK, në rast se nuk përgjigjet kërkesës së AK dhe brenda afatit të caktuar, atëherë, dispozitat ligjore e diskualifkojnë nga pjesëmarrja OE që nuk përgjigjet”, thuhej në vendimin e OShP-së. /Insajderi.org/