
Mbi 1 milion euro janë dhënë për ndërtimin e rrugës ‘Xhemajl Mustafa’ në Podujevë, në vitin 2023. Rrugë kjo që ishte paraparë të përfundonte në vitin 2024. Mirëpo rruga ka mbetur në gjysmë, dhe në gjendje të keqe, pasi punimet nuk janë afër përfundimit. Në një përgjigje për Insajderin, menaxheri i kontratës ka konfirmuar se komuna nuk ka pas mundësi materiale për ta përfunduar projektin e rrugës. Insajderi ju sjell detaje.
Gazeta Insajderi
Me 1 shtator të vitit 2023, komuna e Podujevës kishte nënshkruar tenderin për “Zgjerimin, ndërtimin dhe asfaltimin e rrugës Xhemajl Mustafa”.
Me këtë tender ishte shpërblyer kompania Rahovica Comerce SH.P.K.
Vlera e përgjithshme e kontratës kishte qenë 1,351,904,57 euro.
Kohëzgjatja e kësaj kontrate kishte qenë e paraparë që të përfundonte brenda 15 muajve. Pra gjatë vitit 2024. Mirëpo kjo rrugë ende nuk afër përfundimit.
Lidhur me punimet në këtë rrugë, ka reaguar edhe asamblisti i LDK’së në Podujevë, Ekrem Rrahmani.
“Rruga “Xhemail Mustafa” punohet si mos më keq dhe i kalon të gjitha afatet e parashikuara kohore të kontratës. Rruga është si kandahar edhe pse pa punë shtesë ka kushtuar 1,351,904 €”, ka shkruar Rrahmani.
Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë me komunën e Podujevës, por pyetjet janë përcjellur te menaxheri i kontratës, Ismet Kadriu.
Kadriu për Insajderin e ka konfirmuar se sipas planit projekti ka pasur të përfundojë gjatë 2024’tës.
Por siç thotë ai, projekti ka mbetur pa buxhet, pasi që komuna e Podujevës nuk ka pasur mundësi materiale për përfundimin e projektit.
“Po është e vërtet se projekti në fjalë sipas planit dinamik ka pas me përfundu gjatë vitit 2024 , mirëpo për shkak të kontratave kolektive projekti ka mbet pa buxhet dhe OE nuk ka pasur mundësi materiale për ta përfunduar projektin.
Ky projekt pritet të përfundoj deri kah fundi i qershorit”, ka thënë, Ismet Kadriu, menaxher i kontratës.
Lexues të Gazetës Insajderi kanë dërguar edhe pamje nga kjo punime e mbetura në gjysmë në këtë rrugë.
Ndërkohë, edhe mediat lokale, në vitin 2024 kishin raportuar me video, për gjendjen e rëndë të rrugës Xhemail Mustafa.