×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Tenderi qesharak në KOSTT- Si arriti t’i “mashtrojë” sipërmarrësi që aplikoi me dy kompanitë e tij?

    Insajderi
    01 July 2024 - 14:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një tender i çuditshëm është dhënë në ndërmarrjen publike ‘KOSTT’ në fund të 2022-ës. Gjegjësisht, në këtë tender një sipërmarrës me emrin Latif Imeri kishte aplikuar me dy firmat e tij për të njëjtën punë. Për shkak se vlera e tenderit ishte më e ulët, ai kishte dërguar një ankesë në OSHP. Pas rivlerësimit, ai përmes biznesit tjetër kishte arritur të fitojë tenderin me çmim më të shtrenjtë. Praktikë të përafërt kishte bërë edhe në një tender në ‘KRU Gjakova’, ndonëse OSHP i kishte dhënë të drejtë atij. Insajderi ju sjell detaje të zgjeruara:

    Latif Imeri, udhëheqës i bizneseve ‘PROGLOBAL SH.P.K’ dhe ‘Pastor KOSOVA Sh.P.K”, kishte aplikuar me që të dyja firmat e tij në një tender në KOSTT në fund të 2022-ës. Bëhet fjalë për projektin “Furnizim me pajisje mbrojtëse për nënstacione”, në vlerë prej mbi 20 mijë euro.

    Fillimisht, ai kishte arritur ta fitojë tenderin me ‘PASTOR Kosova’ me çmim më të lirë ofertues (21,110 euro) sesa ‘PROGLOBAL’ (23,936 euro).

    Më pas, Imeri përmes ‘PROGLOBAL’ si operator ekonomik i eliminuar ishte ankuar, ndërsa kishte arritur ta fitojë përmes ofertës më të shtrenjtë pas rivlerësimit për shkak të mos-përmbushjes së një specifike teknike.

    Kontrata më pas ishte nënshkruar më 1 janar të 2023-ës me ‘PROGLOBAL’ në vlerë prej 23,936 euro.

    Zyra Kombëtare e Audimit në raportin për pasqyrat financiare vjetore për 2023-ën e ka përmendur si shqetësim në gjetjet e saj. Aty thuhet se pas analizimit të dokumenteve të regjistrimit të biznesit, mësuan se për të njëjtin tender kishin aplikuar dy kompani që kishin pronar të njëjtë. Pra, Latif Imerin.

    “Fillimisht ndërmarrja kishe eliminuar OE me çmimin më të lirë për shkak të mos përmbushjes së specifikave teknike dhe kishte shpallur fitues OE ekonomik të dytë me çmimin më të lirë. Pas ankesës nga OE i eliminuar, ndërmarrja kishte kthyer procesin në rivlerësim ku pas këtij procesi ishte aprovuar ankesa OE të eliminuar. Ndërsa OE i cili fillimisht ishte shpallur fitues, pas rivlerësimit ishte shpallur i papërgjegjshëm për shkak të mos përmbushjes se një specifike teknike që nuk ishte pjesë e ankesës. Kontrata ishte nënshkruar me datë 01.01.2023 me operatorin që kishte parashtruar ankesë në vlerë 23,936€”, thuhet në raportin e ZKA’së.

    “Pas analizimit të dokumenteve të regjistrimit të biznesit dhe verifikimit të tyre në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit të Kosovës, të dy operatorët që kishin ofertuar në këtë proces tenderues kishin të njëjtin pronar të biznesit. Si rrjedhojë, ndërmarrja në këtë rast do të duhej të bëjë anulimin e procedurës së tenderit në harmoni me kërkesat ligjore”, thuhet ndër të tjera në raport

    Sipas hulumtimit të Insajderit, krejt kjo ka ndodhur për shkak të neglizhencës të personave përgjegjës të prokurimit në KOSTT.

    Ankesat për aplikim me dy kompani edhe në ‘KRU Gjakova’

    Latif Imeri kishte arritur të fitojë një tender edhe në ‘KRU Gjakova’, duke përfshirë në konzorcium të dy kompanitë e tij. Vlera e parashikuar e tenderit ishte 16 mijë euro, ndërsa kërkohej furnizimi me bombola të klorit të gaztë.

    Lidhur me këtë, shqetësime kishte ngritur një operator ekonomik i eliminuar nga tenderi. Ky operator ekonomik pretendonte se e ka caktuar vetën vetëm si menaxher e jo pronar në kompaninë ‘Pastor Kosova’, në mënyrë që t’i shmanget konfliktit të interesit.

    “Z. Latif Imeri, në linqet e poshtë shënuara, mund ta vereni se eshte pronar (DREJTOR) i te dya kompanive ne fjal te cilat jan ne konsortium dhe pjesëmarrës ne kete tender, andaj ne menyre te kundërligjshme ka vepruar (për hutinë e AK) duke e përcaktuar pozitën e vet si Menaxher, ne menyre qe edhe përfaqësuesi i prezentuar i kompanisë Pastor Kosova te cilësohet si i tille (menaxher) edhe pse i njëjti nuk figuron askund ne asnjë dokument te kësaj kompani, kështu duke e ven ne lajthitje Autoritetin Kontraktues dhe duke e hutuar ne këtë aspekt”, thuhet në ankesën e një operatori ekonomik drejtuar OSHP’së.

    “Aplikimi nga personi i njëjtë me dy e më shumë kompani përveç që paraqet konflikt të hapur të interesit përmban edhe elemente të natyrës penale, shtuar faktin që nuk dihet nëse apo kush ka nënshkruar me dhe për, dhe a kishte autorizim apo këtë nënshkrim e ka bërë përsoni i njëjtë me tentativë të shmangies nga zbulimi që kemi të bëjmë me personin e njëjtë”, vijon ankesa.

    Ata tutje kanë pretenduar se konzorciumi i ‘PASTOR Kosova’ dhe ‘PROGLOBAL SH.P.K’ nuk kanë ofruar certifikatën e numrit unik identifikues si të plota “duke fshehur faqet se kush është përfaqësues respektivisht pronar i kompanisë”.

    Megjithatë, OSHP’ja ia kishte rrëzuar këtë pretendim, me arsyetimin se meqë dy kompanitë janë në konzorcium dhe nuk janë konkurrent në mes vete në këtë procedurë të prokurimit, nuk paraqet konflikt interesi.

    Si konzorcium “PROGLOBAL SH.P.K.; PASTOR KOSOVA Sh.p.k” kishin furnizuar me pajisje për shuarjen e zjarrit edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, në vlerë prej afro pesë mijë eurove.

    Fillimisht vlera e parashikuar e kontratës ishte 9.992,00 por që kriter i dhënies së kontratës ishte çmimi më i ulët. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark