
Organi Shqyrtues i Prokurimit ka vendosur të përjashtojë për një vit nga aktivitetet e prokurimit Operatorin Ekonomik “Shqiponja BFB” Sh.p.k, një nga tenderuesit e shpeshtë në kontratat e Qeverisë Kurti, shkruan Insajderi.
Ky vendim u mor pas kërkesës së Kuvendit të Kosovës, në cilësinë e Autoritetit Kontraktues, i cili pretendonte se kompania ka paraqitur dokumente të falsifikuara në një procedurë tenderimi.
Në dokumentin zyrtar të OSHP-së, thuhet se “Shqiponja BFB” është përjashtuar nga prokurimi publik deri më 19 shkurt 2026, për shkak të shkeljeve të evidentuara në tenderin për “Shërbime hoteliere”.
Sipas arsyetimit të vendimit, Autoriteti Kontraktues kishte kërkuar verifikimin e autenticitetit të një kontrate të dorëzuar nga operatori ekonomik dhe kishte marrë konfirmim se dokumenti në fjalë nuk ishte valid.
Si rrjedhojë, operatori ekonomik është diskualifikuar dhe më pas është futur në Listën e Zezë.
Për verifikim, Kuvendi ishte drejtuar tek kompania “Ada Group”, e cila figuronte si pala tjetër në kontratë, por përgjigja e kësaj të fundit konfirmoi se nuk kishte pasur asnjëherë bashkëpunim me “Shqiponja BFB”.
“Asnjëherë nuk kemi furnizuar apo bashkëpunuar me këtë kompani dhe nuk kemi pranuar asnjëherë shërbime të gastronomisë nga ajo. Ne nuk kemi qenë në dijeni për ekzistencën e këtij dokumenti dhe nuk kemi autorizuar askënd për të bërë një nënshkrim në emrin tonë“, thuhet në sqarimin e “Ada Group”.
Pas këtij konfirmimi, OSHP vlerësoi se “Shqiponja BFB” kishte dorëzuar dokumente të falsifikuara, gjë që përbën shkelje të Ligjit për Prokurimin Publik.
Për më tepër, kompania nuk u përgjigj brenda afatit ligjor për të ofruar sqarime ose dëshmi që do të kundërshtonin pretendimet e autoritetit kontraktues.
Si rezultat, kompania është futur në listën e zezë të OSHP-së deri më 19 shkurt 2026 dhe nuk do të mund të marrë pjesë në tenderët publikë gjatë kësaj periudhe.
“Shqiponja BFB” ka qenë një nga operatorët që ka siguruar kontrata të rëndësishme nga institucionet shtetërore gjatë qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, për të cilat ka raportuar Gazeta Insajderi.
Para katër vitesh, Kuvendi i Kosovës i kishte prishur kontratën kësaj kompanie për shkak të produkteve serbe që shërbente deputetëve në bufe.
Sot në Listë të Zezë, por ja si e shpërblyen ministrat e Kurtit “Shqiponja BFB”
Ndonëse në Kuvend nuk gjeti “folenë” ministrat e Qeverisë Kurti e kanë mirëpritur kompaninë “Shqiponja BFB”, duke e shpërblyer me kontrata.
Kompania ka lidhur marrëveshje me të paktën tre ministri: Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Shëndetësisë.
Kontrata me Ministrinë e Arsimit, e udhëhequr nga Arbërie Nagavci, është lidhur në dhjetor të vitit 2024, me një vlerë prej 25 mijë euro për shërbime hoteliere dhe bufesë.
Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë, nën drejtimin e Arben Vitinës, ka ndarë 90 mijë euro për “Shqiponja BFB” për shërbime të ngjashme, me tenderin e ekzekutuar në prill të vitit të kaluar.
Kompania ka pasur gjithashtu kontratë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, udhëhequr nga Xhelal Sveçla.
Në vitin 2022, kjo ministri ka shpërblyer “Shqiponja BFB” me një tender të madh në vlerë totale prej 1 milion e 545 mijë euro.
Vendim i OSHP-së thotë se “Shqiponja BFB” nuk do të mund të marrë pjesë në tenderët publikë për një vit të plotë, duke filluar nga 20 shkurti 2025.
Lidhur me vendimin e Organi Shqyrtues të Prokurimit, Gazeta Insajderi ka kërkuar një përgjigje nga kompania “Shqiponja BFB”.
Kompania ka pretenduar se vendimi është i padrejtë dhe ka ofruar një variant për situatën.
“Dëshirojmë të sqarojmë se kompania jonë, Shqiponja BFB, nuk ka dorëzuar asnjë dokument të falsifikuar dhe as nuk ka mashtruar gjatë procesit të tenderimit për shërbime hoteliere. Përkundrazi, ne kemi dorëzuar kontratën origjinale të firmosur dhe vulosur nga ADA Group, si dhe faturat e nënshkruara dhe vulosura nga kjo kompani, të cilat vërtetojnë përmbushjen e marrëveshjes sonë. Këto dokumente janë tërësisht të ligjshme dhe të vlefshme,” ka thënë Mehdi Malaj, përfaqësues i kompanisë.
Sipas tij, Organi Shqyrtues i Prokurimit nuk ka marrë parasysh kundërshtimin dhe provat e paraqitura nga kompania, duke u mbështetur vetëm në pretendimet e Kuvendit të Kosovës.
“Vendimi është marrë pa verifikim të pavarur dhe pa respektuar parimin e trajtimit të barabartë”, shtoi ai.
Për këtë arsye, kompania ka njoftuar se do të padisë vendimin në Gjykatën Themelore – Departamenti Administrativ, ku do të kërkojnë rishqyrtimin e rastit në bazë të provave që kanë dorëzuar.
/Insajderi