Policia në Serbi ka krijuar një kordon para gjykatës sot herët në mëngjes dhe pak pas orës 07:30 janë mbledhur deputetë dhe këshilltarë të opozitës për të vazhduar protestën kundër mosndjekjes penale të përgjegjësve për tragjedinë në Novi Sad.
Siç raporton Danasi serb, pak pas orës 08:00, kur kanë tentuar të kalojnë në hyrje të pallatit, janë shtyrë dhe janë përplasur me policinë. Disa u përpoqën të hynin në gjykatë nga mbrapa, por xhandarmëria shtyu të gjithë ata që arritën të hynin nga godina.
Këshilltarët dhe deputetët e Novi Sadit dje bllokuan punën e gjykatës, ndërsa sot u bënë thirrje të gjithë kolegëve nga vendi si dhe qytetarëve që t’i bashkohen.
Deputetët kanë mbërritur para godinës rreth orës 7:30 të mëngjesit dhe kanë tentuar menjëherë të depërtojnë deri në hyrje për ta bllokuar atë.
Deputetët dhe këshilltarët nga e gjithë Serbia u ftuan të vijnë dhe t’i bashkohen protestës për lirimin e aktivistëve të arrestuar dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve për tragjedinë në Stacionin Hekurudhor. /Insajderi.org/