Tensionet në RTK - një tjetër sindikatë i reagon Ahmetxhekajt: Po i kërcënon punëtorët - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Tensionet në RTK – një tjetër sindikatë i reagon Ahmetxhekajt: Po i kërcënon punëtorët

    Insajderi
    29 June 2022 - 16:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Edhe Kryesia e SPERTK-së i ka reaguar drejtorit të ri të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Shkumbin Ahmetxhekajt. Me përzgjedhjen e tij si drejtor janë shpërfaqur edhe pa kënaqësi. Ky i fundit përmes një letre drejtuar punëtorëve përmend problemet me të cilat po ballafaqohet RTK e se si do të ndërmarrë masa.

    Kryesia e SPERTK-së përmes një reagimi po e cilëson letrën e Ahmetxhekajt si kërcënim për punëtorët, e që sipas tyre në këtë kohë duhet unitet.

    Sipas tyre letra e tij veç letër falënderim nuk është.

    “Ne do t’i mbështesim të gjithë kolegët pa përjashtim, ndërsa çdo kërcënim apo shkelje e kontratës nga kushdo, do ta marrë përgjigjen ligjore nga ana jonë”, thuhet mes tjerash.

    Reagimi i Kryesisë së SPERTK-së

    Sindikata e Punëtorëve e RTK-së konsideron se letra e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së përmban doza kërcënimi dhe nuk është letër falënderimi për të gjithë kolegët që po punojnë në kushte të vështira, e disa prej tyre nuk po mund t’i shfrytëzojnë pushimet vjetore e as të festave.

    Sindikata konsideron se në këtë kohë na duhet unitet dhe jo letra kërcënuese.

    Ne do t’i mbështesim të gjithë kolegët pa përjashtim, ndërsa çdo kërcënim apo shkelje e kontratës nga kushdo, do ta marrë përgjigjen ligjore nga ana jonë.

    Të nderuar kolegë,

    Askush nuk mund të vendosë jashtë ligjit dhe rregulloreve të brendshme të RTK-së, për çka zotohemi se do ta keni mbështetjen tonë në çdo kohë. Çdo nismë për reformë fillimisht do të diskutohet me të gjithë ju dhe pastaj do të vendoset.

    Sindikata ju njofton se ditëve në vijim do të nisim me kërkesën për rritje të koeficientit bazë në RTK.

    Me respekt,
    Kryesia e SPERTK-së
    Prishtinë, 29.06.2022

    Drejtori i sapo zgjedhur i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj i është drejtuar me një letër të gjatë punëtorë të RTK-së. Në këtë letër të cilën fillimisht e nis me falënderim, ai përmend edhe një sërë problemesh me të cilat po ballafaqohet RTK.

    Mes tjerash përmend stafin e mbi ngarkuar, disa punëtorë që nuk po i kryejnë siç duhet detyrat e tyre. Thekson po ashtu se si 9 punëtorëve i është shkëputur kontrata, për shkak se kishin abuzuar me vendin e punës.

    Letra e plotë e Ahmetxhekajt:

    Të nderuar kolegë,

    Fillimisht, dua ta falënderoj secilin për urimin, mbështetjen dhe inkurajimin që ma keni dhënë që nga data 20 qershor, kur Bordi i RTK-së ma besoi detyrën e udhëheqjes së shtëpisë sonë të përbashkët për 3 vitet e ardhshme.

    Jam i vetëdijshëm për sfidat enorme të cilat na presin gjatë ditëve dhe muajve në vazhdim, por jam thellë i bindur se me angazhimin e përbashkët, RTK-në do ta fuqizojmë si lider medial që do të jetë adresë e lajmeve të verifikuara, programit të shumëllojshëm dhe llogaridhënies.

    Gjatë 5 muajve të fundit sa kam udhëhequr RTK-në në cilësinë e ushtruesit të detyrës se drejtorit të përgjithshëm, bashkë me ekipin, kemi arritur që ta evitojmë thellimin e krizës financiare dhe t’i vendosim bazat për transparencë të plotë, llogaridhënie dhe normalizim në departamentin e informacionit.

    Shumë projekte që tashmë kanë nisur do të përfundohen së shpejti, por konsideroj se më e rëndësishmja është se imazhi i RTK-së ka nisur të riformësohet. Në kohë rekord, kemi arritur të realizojmë gala koncertin ‘Thirrje për Paqe’ dëshmi kjo e përkushtimit dhe profesionalizmit të stafit të RTK-së që e ideuan dhe realizuan atë.

    Pavarësisht se kemi 239 veta më pak në staf sesa kishim më 31 dhjetor 2021, RTK1, RTK2 dhe Radio Kosova 1 e 2, kanë nisur me skemën e re programore. Në RTK1 tashmë janë 6 emisione të reja dhe jo vetëm. Ndërkaq, ndryshimet në portal dhe mediat sociale janë evidente pas masave të ndërmarra.

    Ju siguroj se periudha e censurës, propagandës, e selektivitetit dhe e ndëshkimeve në baza personale në RTK ka përfunduar. Të gjithë e keni rastin që ta dëshmoni veten dhe ta zini vendin e merituar, qoftë në program apo pozita të tjera, në bazë të meritokracisë.

    Pavarësisht kënaqshmërisë me performancën e udhëheqësve të departamenteve e njësive që kanë marr detyrën gjatë mandatit tim si ushtrues detyre, është përcaktim i përbashkët edhe me anëtarët e tjerë të menaxhmentit që për të gjitha këto pozita të ketë konkurs, ku presim garë idesh e projektesh sesi ta zhvillojmë transmetuesin publik në hap me zhvillimet e fundit teknologjike e profesionale.

    Siç edhe mund ta dini, në konkursin për Drejtor të Përgjithshëm është kërkuar hartimi i strategjisë zhvillimore. Ajo çfarë kam prezantuar para Bordit të RTK-së, përmban nevojën për reformë të thellë strukturore e programore.

    Reforma strukturore/organizative do të jetë një ndër prioritetet afatshkurtëra, e që do të sjellë ndryshime të mëdha në organogramin kaotik që e ka transmetuesi publik.

    Shumë departamente janë të mbingarkuara me staf, ku sipas raporteve të kërkuara, disa punëtorë aktualë nuk përmbushin normën dhe detyrat e punës. Gjatë kësaj periudhe jemi detyruar t’i shkëpusim kontratat e 9 punëtorëve, të cilët në vazhdimësi kanë abuzuar me vendin e tyre të punës. Kjo dëshmon seriozitetin për kthimin e ligjshmërisë.

    Është qëllim i imi që krahas përpjekjeve për zgjidhjen e çështjes së pronës dhe financimit të qëndrueshëm, të bëjmë vlerësim real të angazhimit të secilit punëtor dhe të pozitave ekzistuese.

    Në kuadër të ristrukturimit të RTK-së, disa pozita mund të shuhen e disa të reja të formohen, porse është përcaktim i qartë që në RTK do të ketë punë, angazhim e në fund vlerësim të drejtë të performancës. Do të kërkoj nga drejtorët programorë dhe udhëheqësit e njësive që ta monitorojnë në mënyrë strikte procesin e vlerësimit, i cili do të jetë bazë për avancime e degradime.

    Bashkë me Bordin, kemi përgatitur kërkesën për buxhet shtesë nga Kuvendi i Kosovës, i cili në pjesën më të madhe do të përdoret për investime kapitale, të cilat kanë munguar për vite të tëra në RTK.

    Krahas privilegjit që jemi pjesë e transmetuesit publik, ne jemi të kufizuar në deklarime publike që mund të dëmtojnë imazhin dhe paanshmërinë e RTK-së, prandaj kërkoj nga ju që t’i lexoni dhe t’ju përmbaheni Standardeve Profesionale dhe Rregulloreve të RTK-së. Shkelësit, kushdo qofshin ata, do të përballen me masa disiplinore.

    Kjo, nuk i ndalon sinjalizuesit që të raportojnë për dyshimet në punën time dhe ekipit porse është e patolerueshme që punëtorët e RTK-së të shfaqin publikisht qëndrime politike, të shpërndajnë lajme të rreme të pseudo-portaleve apo të mos respektojnë kontratat e tyre të punës.

    Mbes me shpresë se në këtë rrugëtim të përbashkët, do të angazhoheni maksimalisht që ta betonojmë një periudhë të re shprese dhe t’i kthehemi me tërë qenien tonë, publikut.

    Bordi i Drejtorëve të RTK-së me 20 qershor zgjodhi Shkumbin Ahmetxhekajn në krye të Radio Televizionit të Kosovës për një mandat tre vjeçar me 8 vota për, 1 abstenim dhe asnjë votë kundër.

    /GazetaInsajderi

    Lexo edhe:


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark