Kryeministri Kurti mbrëmë pritej që të bënte një adresim para qytetarëve që të jepte sqarime për situatën e tensionuar në veri. Por, në vend të kësaj ai vendosi që të bënte me shumë analizë të politikës në Serbi. Çuditërisht “analiza” e tij për politikën në Serbi është e ngjashme me analizën e Sadri Ramabajës, i vetmi në Kosovë që është edhe analist i pavarur, por edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të “Vetëvendosjes”.
Kurti shkroi ngashëm me Ramabajen, njeriun që shquhet si analist argëtues me huqjet dhe konspiracionet e tij që i shpërfaq nëpër studio televizive.
Të dytë, edhe Kurti edhe Ramabaja treguan se mendojnë ngjashëm për sa i përket fuqisë politike të Vuçiqit në Serbi.
“… duket që ish zëdhënësi i partisë së Millosheviqit, tash ministër i Jashtëm i Serbisë, është më i pushtetshëm se sa ish ministri i informatave, tash president i Serbisë”, shkroi Kurti duke treguar se analiza e tij e tregon Ivica Daçiqin si njeri më të pushtetshëm në Serbi se sa Aleksandër Vuçiqin.
Ai shkoi tutje duke treguar se dyshja nuk i ka raportet e mira mes vete.
“Kjo është betejë personale e tyre për pushtet, as për qytetarët dhe as për shtet”, shkroi Kurti në analizën e tij për politikën në Serbi.
Ky mendim i tij ngjason shumë me Rambajën që nxitë dyshime se Kurti për tensionet në veri këshillohet me “analistin e pavarur”.
“… Vuçiqi e ka te qartë se do të jetë humbesi kryesor. Nderkaq establishmenti klerofashist të cilit i prinë Ivica Daçiq, tashmë figura më e fuqishme në Serbi me kohë është percaktuar se do të jetë bartësi i interesave ruse në këtë pjesë të Europës”, shkroi bashkëmendimtari i Kurtit, Sadri Ramabaja.
Nuk ka ndonjë argument publik që i mbështet analizat e dyshës Kurti-Ramabaja.
Vuçiq ende në raporte ndërkombëtare kritikohet për autokraci dhe kontroll të skajshëm në çdo institucion të Serbisë, të varur e të pavarur.
Ende asnjë organizatë serioze ndërkombëtare nuk e ka cekur që Daçiq i bënë konkurrencë në kontroll të pushtetit e aq më pak për tejkalim të pushtetit të Vuçiqit.
Ndoshta dyshja Kurti-Ramabaj janë të informuar më saktë për zhvillimet në Serbi se sa organizatat serioze ndërkombtare.