Shqiptarët dhe serbët ishin përplasur edhe fizikisht ndërsa tensionet në fshatin Suhodoll ishin rritur, sidomos në vitin e shpalljes së pavarësisë.
Për një projekt të ujësjellësit që kryetari i atëhershëm i Mitrovicës, Bajram Rexhepi insistonte ta kryente, ai kishte pasur një përplasje edhe me shefin e atëhershëm të UNMIK-ut, Lamberto Zannier.
Demarkimi në zonën e këtij fshati është përmendur të martën në Bruksel si kusht i Serbisë për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, të cilën po e përmend Kosova qe disa muaj.
Bajram Rexhepi ishte kryetar i Mitrovicës dhe përpara se qyteti ta kishte edhe një komunë tjetër, atë veriore, ai kishte pasur një përplasje me shefin e atëhershëm të Misionit të Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Lamberto Zannier kur kishte vendosur ta kryente një projekt në disa fshatra të në veri, përfshirë Suhodollin, pak pas shpalljes së pavarësisë së vendit, në vitin 2008.
Emri i këtij fshati u përmend të martën në Bruksel, atje ku kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq shkuan për rundin e radhës të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Petkoviq, pas takimeve të ndara që ai dhe Bislimi i patën me të dërguarin e Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, tha se ka kërkuar ripërcaktim të kufirit që e ndan Mitrovicën e Jugut me Mitrovicën e Veriut si parakusht për hapjen e urës, konkretisht, demarkacion në zonën e Suhodollit.
Fshati ishte një pikë tensioni në veri të vendit. Bajram Rexhepi si kryetar i Komunës së Mitrovicës kishte një projekt për ujësjellësin, i cili do të shtrihej në disa fshatra të banuara nga shqiptarët, pasi eqë serbët lokalë kundërshtonin që punimet të bëheshin nëpër pronat e tyre, ndërsa bashkësia ndërkombëtare kërkonte që palët të përmbahen.
Qeveria ia kishte lënë Rexhepit ta zgjidhte këtë çështje.
Për këtë projekt kishte pasur edhe përplasje fizike mes shqiptarëve dhe serbëve atëherë. Protestat herë nga njëri komunitet e herë nga tjetri e kishin mbajtur për një kohë të tensionuar situatën në Mitrovicë, derisa UNMIK-u, që ende pyetej në Kosovë, i kishte ndalë punimet dhe më pas e kishte marrë në duar menaxhimin e punëve në ujësjellës.
Zannier thoshte se çështja e ujësjellësit në Suhodoll të Mitrovicës po politizohej çdo ditë e më shumë.
“Çështja e Suhodollit do të thotë furnizim i komunitetit me ujë. Shqetësimi im është se kjo çështje çdo ditë e më tepër po politizohet. Mendoj se ajo që duhet të bëjmë, është që të shikojmë se cilat janë nevojat e njerëzve në terren dhe t’u japim shërbimin që atyre u duhet”, shprehej Zannier më 17 korrik 2008, duke shuar se menaxhimi i punëve nga ana e UNMIK-ut ka pajtimin e të gjitha palëve.
Rexhepi nuk pajtohej me këtë vendim dhe insistonte që punët të përfundonin siç kishte planifikuar komuna.
“Është vendim yni që ky projekt të zbatohet. Kemi pasur kontakte me Zannierin dhe me Bout de Marhnac dhe kemi kërkuar që ata t’i japin premtimet ose garancitë e sigurta që ky projekt të realizohet, por për këtë kemi kërkuar që të bëjnë prononcim publik, ose të japin urdhër ekzekutiv me shkrim”, thoshte Rexhepi.
Ai kundërshtonte ashpër që “të mos lejohet anarkia e krijuar nga strukturat paralele serbe” dhe e akuzonte UNMIK-un se nuk ka vullnet t’u dalë atyre kundër.
Qeveria e atëhershme tregohej më e përmbajtur, me zëvendëskryeministrin e atëhershëm, Hajredin Kuçi, i cili thoshte se “duhet të jemi të kujdesshëm që këto veprime të mos e tensionojnë situatën”.
“Më mirë është më UNMIK-un që të mos ketë tensionime, por nëse ata bëhen pengesë, ne do ta bëjmë atë edhe pa UNMIK-un”, thoshte Rexhepi.
Ish-kryetari i atëhershëm i Mitrovicës thoshte se fshati Suhodoll “edhe me Pakon e Ahtisaarit është territor i komunës që menaxhohet nga pjesa jugore”.