Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka lëshuar sot një urdhër zyrtar, me të cilin kërkoi që të asgjësohen të gjithë dronët që futen në territorin e Serbisë.
Mediumi serb “Veçernje Novosti” raportoi se Vuçiqi vendosi të marrë hapa pas një incidenti në zonën mbi Merdar në kufi me Kosovën dhe në afërsi të Rashkës.
Sipas mediave serbe, dronë të panjohur kanë vëzhguar kazermat dhe pozicionet e ushtrisë së Serbisë. E, pas kësaj, sipas raportimeve, Vuçiq ka vendosur të ngrejë në qiell aeroplanët MiG-29, “për të vëzhguar territorin dhe për të intervenuar në rast të ndonjë sulmi”.
Por, para se në Serbi të flitej për incidentin, ministri i Mbrojtjes i këtij shteti vizitoi bazën e ushtrisë në Rashkë, qytetin më të afërt me Kosovën. Ai tha se me urdhër të presidentit Vuçiqit, Ushtria e Serbisë është ngritur në “nivel gatishmërie” për shkak të situatës në Kosovë.
“Ushtria e Serbisë është e gatshme të zbatojë çfarëdo vendimi nga Vuçiqi, si komandant suprem, për t’i mbrojtur të gjithë qytetarët e Serbisë, përfshirë serbët në Kosovë dhe askush nuk duhet të dyshojë në këtë”, tha ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Milosh Vuçeviq.
Lajmin e mediumit serb e ka konfirmuar edhe Ana Brnabić e cila tha se bëhet fjalë për sigurinë e serbëve në Kosovë.
“Ashtu është, dronët filmuan një pozicion në Zonën e Sigurisë Tokësore dhe dy kazerma. Për këtë jam informuar nga Presidenti i Republikës dhe ka dhënë urdhër që të forcohet mbrojtja në ajër, e cila tashmë është një gjendje e përhershme. Nëse kjo ndodh përsëri, ne do të rrëzojmë të gjithë avionët. Nuk do të jepja më shumë informacion, presidenti do të thotë më shumë për këtë, si dhe ministri i mbrojtjes Millosh Vuçeviq – tha ajo.
Kërcënimet janë dhënë ditën kur Kosova ka nisur shkallën e parë të sanksionimit të vozitësve të veturave me targa ilegale të lëshuara nga Serbia dhe të cilët ende nuk i kanë kthyer në RKS.