
Të shtunën, më 3 prill, do të zhvillohet tentativa e dhjetë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, në kuadër të legjislaturës së nëntë.
Përpjekjet e mëparshme – gjithsej nëntë seanca – kanë dështuar në përmbushjen e këtij qëllimi, shkruan Insajderi.
Ngërçi politik ka lindur si rezultat i këmbënguljes së Lëvizjes Vetëvendosje për të propozuar Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit, pavarësisht mungesës së votave të mjaftueshme. Në seancën e nëntë, procesi i votimit u ndryshua pas propozimit të kryesuesit Avni Dehari, i cili kërkoi që votimi të zhvillohej në mënyrë të fshehtë.
Ky propozim ngjalli reagime të ashpra nga deputetët e opozitës, përkatësisht nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe, të cilët e kundërshtuan ashpër këtë metodë.
Nga ana tjetër, Vetëvendosje i akuzoi këto subjekte politike për bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
Seanca e radhës pritet të nisë nesër në orën 10:00, por me zhvillimet që po përsëriten, ngërçi politik duket se do të vazhdojë.