
Vetëvendosja në përbërje prej katër deputetësh: Besim Muzaqin, Dimal Bashën, Tinka Kurtin dhe Nijazi Isakun iu mbajtën ligjërata për patriotizëm anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media mbledhjen e së premtes. Mbledhja u ftua nga të katër deputetët e VV’së pasi KPM’ja vendosi që të rikthejë në transmetim kanalet sportive të Arena Sportit. Anëtarët e KPM’së u kërcënuan me shkarkim, gjë e cila u propagandua edhe në rrjetet sociale.
Gazeta Insajderi
Në fjalën hyrëse, Njazi Isaku nga Vetëvendosja, përkundër që kryetari i KPM’së njoftoi se duhet vendosur konform rregullores, hodhi akuza ndaj ofruesve privat të shërbimeve audio-vizuele në Kosovë. Ai shtoi edhe ton patriotik kur kritikoi vendimin e KPM’së për pezullimin e vendimit për ndalim të transmetimit të kanaleve sportive të ‘Arena Sport’, shkruan Gazeta Insajderi.
“Pyetja ime është, a e kuptoni se çka ka ndodhë në Banjskë dhe pse në bazë të këtij vendimi të parë keni qenë korrekt, çka e ndryshoi atë ngjarje, duke e ditë që ka qenë sulm terrorist ndaj shtetit tonë, i financuar nga Serbia. Kemi edhe një hero të vrarë të Kosovës, çka kena me ju thanë na familjes së Afrim Bunjakut mbas këtij vendimi”, deklaroi ai.
“Ju e patë çka ndodhi, tu folë një ngjarje e madhe në vend, kryeministri i vendit u ballafaqojke me Këshillin e Sigurimit, dul IPKO e bllokoi. U dashtë me hi në telefon se na e ndali qasjen. Kur flet kryeministri i Kosovës, çfarë ngjarje më të madhe po doni? Kush duhet tash me marrë atë veprim. Pse ke kjo? Foli Vuçiqi s’pat… deri u kry ai u transmetu. Filloi kryeministri i Kosovës, e ndaloi. Edhe Serbia po ashtu”, vijoi Isaku.
Madje, ai duke iu referuar qytetarëve me shprehjen “popull” i ofendoi ata, duke thënë se “populli s’e di kush është Komisioni i Pavarur i Mediave”.
Besim Muzaqi, deputet i VV’së, lartësoi më së shumti rendin juridik të qytetarëve. Megjithatë, rendi juridik duket se nuk ka fort rëndësi kur vjen në shprehje dikush nga rrethi i ngushtë i tij. Gazeta Insajderi ka raportuar se si kushëriri i tij, Ajaz Muzaqi, akuzohen për vepra penale të fajdes.
“A ka shkelje ma të madhe të qytetarëve dhe rendit juridik të vendit kur një “provider” (ofrues) i vendit i caktuar në këtë rast Artmotion, në kontentin e vetë shpërndan apo promovon terrorizmin dhe mbron terroristët të cilët jo shumë kohë më parë invaduan dhe bënë agresion mbi Republikën tonë, të financum e të mbështetun në tona mënyrat nga Republika e Kosovës dhe ju mjaftoheni me një kërkimfalje. Nuk e di a mjaftohet familja e heroit Afrim Bunjaku me këtë kërkimfalje. Nuk e di a mjaftohen kolegtë e tij me këtë kërkimfalje. Ndoshta stërnipërve të tyre mund t’ua trajtojnë mirëpo jo atyre. Sikur nuk ke e mjaftueshme që bashkë me disa prej jush kemi trajtu rastin e mohimit të shtetësisë nga po ky “provider””, deklaroi ai.
Fjalën e mori edhe deputetja tjetër e VV’së, Tinka Kurti, duke iu mbajtur ligjërata për patriotizëm anëtarëve të KPM’së.
“Faljet janë tjetër regjistër, nuk janë edukatorë të çerdhes, por anëtarë të komisionit shumë të rëndësishëm dhe kanë marrë dy vendime të ndryshme. Qikjo nuk është presion me folë secili haptazi këtu çka. Patriotizmi tregohet me vendime; nuk mundet me pasë vendime të dëmshme dhe me kanë patriot”, deklaroi ajo.
Më i zëshmi ishte deputeti Dimal Basha, duke kritikuar arsyetimet e kryetarit të KPM’së për shfuqizimin e vendimit për ndalimin e kanaleve sportive të ‘Arena Sport’.
“Po flasim për një platformë që është Telekom Srbija dhe që ka thur lavde terroristëve që kanë vrarë Afrim Bunjakun. A qaq urgjente ke mos me e bë një diskutim pak më të thellë? Paramendone sikur Radoiçiqi me kërku falje e me thane kthehu në veri. Domethanë, qasja është e njëjtë. Ju po thuni që Telekomi i Serbisë na ka kërku falje, na u ka dhimtë qaq fort”, deklaroi ai.
Gjatë mbledhjes, anëtarët e KPM’së u kërcënuan me shkarkim.
Fushatën për shkarkim e ka vazhduar në rrjete sociale deputeti Basha, të cilën e ka ndarë në tri pjesë.
“…Përgjigja ime është se 𝐤𝐚𝐧ë 𝐧𝐝𝐨𝐝𝐡 𝐝𝐲 𝐧𝐠𝐣𝐚𝐫𝐣𝐞 që e kq shty KPM me reagu në fshehtësi dhe me urgjencë për m’i ba favore Telekom Serbija, dhe më japin me besu se aty ka njerëz të SHITUR”, thuhet në njërën nga postimet e Bashës, duke e cilësuar vendimin e KPM’së si “tradhti kombëtare”, thuhet në njërën nga pjesët.
Pse ky presion për t’i shkarkuar anëtarët e KPM’së?
Presioni për shkarkim po ndodh në periudhën kur Projektligji kontroverz për KPM’në, i propozuar nga Qeveria Kurti, veçse ka kaluar në lexim të parë.
Në mënyrë që të kapen mediat në Kosovë nga ana e shtetit, projektligji ka paraparë licencim për përmbajtjen e videove në mediat e shkruara online dhe zgjerim të numrit të anëtarëve nga 7 në 11.
Ky projektligj është kritikuar ashpër nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Komisioni i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK).
Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, në një konferencë për media i ka parë këto ndryshime si përpjekje të Qeverisë aktuale për t’i sulmuar mediat dhe tendencë për kontrollimin e tyre.
“Sepse parashihet që KMP-ja t’i kontrollojë dhe ndëshkojë ato media online që kanë përmbajtje të videove, duke përfshirë nevojën që ato të licensohen në mënyrë të veçantë. Këtë e shohim si një tjetër përpjekje dhe sulm të Qeverisë ndaj lirisë së medias”, deklaroi ai në një konferencë të jashtëzakonshme që u ftua dy javë më parë.
Drejtori i KMSHK-së, Imer Mushkolaj, në po atë konferencë shtoi se qëllimi i projektligjit të ri është dobësimi i KMSHK-së.
Çka parashihet të ndryshohet në këtë projektligj?
1.Mediat online do t’i nënshtrohen licencimit shtetëror dhe kontrollit nga KPM-ja;
2.Mediat online, të cilat funksionojnë si organizata joqeveritare, do të detyrohen që të hapin kompani për t’i plotësuar kërkesat e licensimit;
3.Mediat online do të detyrohen të regjistrohen në Regjistrin e mediave online, i cili do të menaxhohet nga KPM-ja;
4.Mediat online do të duhet të marrin leje në KPM në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10%;
5.Mediat online do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me gjoba deri në 40,000 euro;
6.KPM-ja do t’i ketë 11 anëtarë dhe jo shtatë, siç i ka aktualisht;
7.Anëtarët e KPM-së nuk do të kenë më mandate të përshkallëzuara prej dy, tre dhe katër vjetësh, por mandat prej katër vjetësh me mundësi të rizgjedhjes edhe për një mandat tjetër. /Insajderi.org/