Policia e Kosovës e ka arrestuar një të dyshuar për tentim-grabitje në një barnatore në Prishtinë.
Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Në përgjigjen e policisë thuhet se i dyshuari u arrestua në flagrancë, në një barnatore në lagjen Ulpiana në Prishtinë.
Tutje në njoftim thuhet se i njëjti dyshohet të jetë përfshirë edhe në raste të tjera të natyrës së njëjtë.
“Ndaj tij kanë filluar procedurat nevojshme policore në koordinim me prokurorin e shtetit, i njëjti dyshohet të jetë i përfshirë edhe në raste të tjera të natyrës së njëjtë”, thuhet në përgjigjen e policisë.
Sipas dëshmitarëve të rastit, kanë qenë dy persona të përfshirë në rast. Njëri nga ta ka arritur të arratiset, ndërsa tjetri është penguar nga qytetarët derisa ka arritur njësia policore, e cila e ka arrestuar të dyshuarin.