
Bekim Krasniqi, drejtori i “AgroKosova Holding” të premten e 24 majit iu rrezikua jeta. Derisa ndodhej në ballkonin e shtëpisë së tij në Shirokë të Suharekës ndaj tij u shtie me armë zjarri.
Për rastin tanimë Prokuroria Themelore në Prizren ka filluar hetimet.
Kështu ka konfirmuar për Gazetën Insajderi zëdhënësja e prokurorisë, Fitore Mehmeti.
“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren, ka autorizuar policinë për mbledhjen dhe grumbullimin e të dhënave lidhur me rastin konkret. Rrjedhimisht, rasti në fjalë është duke u trajtuar nga prokuroria, andaj për rrjedhën e mëtutjeshme të rastit do të njoftoheni me kohë”, ka deklaruar Mehmeti për Insajderin.
Të pyetur nëse ndaj Krasniqit është ofruar mbrojtje të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje.
Rasti i tentim-vrasjes në orët e mbrëmjes në Polici u raportua nga vet drejtori i “AgroKosova Holding”, Bekim Krasniqi.
Detaje për Insajderin dhanë edhe nga Policia e Kosovës.
“Ngjarja ka ndodhur në fshatin Shirokë, të Komunës së Suharekës. Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po i kryen ekzaminimet e saj. Rastin e ka lajmëruar vetë drejtori i ndërmarrjes “AgroKosova Holding”, Bekim Krasniqi, ku ai sa kishte qenë në ballkonin e shtëpisë së tij, disa persona ende të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij”, kanë konfirmuar nga Policia.
Edhe në muajin prill në media është raportuar për kërcënime ndaj Bekim Krasniqit, drejtorit të kompanisë “AgroKosova Holding”.
Krasniqi u kërcënua në zyrën e tij nga disa të dyshuar, të cilët e kanë uzurpuar pronën, që i përket kësaj kompanie.
Sipas raportimeve rasti kishte ndodhur pasi që Krasniqi kishte ftuar të dyshuarit në zyrën e tij për të biseduar për 3 hektarë tokë që të njëjtit e kishin livruar, por që është pronë e “AgroKosova Holding”.
Në anën tjetër Indoks, prodhim i Gazetës Insajderi pati trajtuar pikërisht temën rreth udhëheqjes së kësaj kompanie, gjë që më pas, pas raportimit të InDoks shteti mori ndërmarrjen e “AgroKosova Holding” nga biznesmeni Haziz Tafaj.
Pas raportimit të emisionit “Mashtrimi i madh”, të InDoks i transmetuar në dhjetor të vitit që lamë pas, shteti i Kosovës ka vendosur që biznesmenit nga Suhareka, Haziz Tafajat të ia marrë ndërmarrjen “Agro Kosova”.
InDoks për të bëmat e Tafajt realizoi një hulumtim disa mujor, ekskluzivisht mori në intervistë edhe biznesmenin italian, Gianfranco Fantinel, që e e konsideronte vetën viktimë të Tafajt në procesin e privatizimit të AgroKosovës
/GazetaInsajderi