Një person është plagosur mëngjesin e sotëm në rrugën “Bedri Shala”, në Prishtinë.
I plagosur ka mbetur Pajtim Gashi dhe akti ka ndodhur në afërsi të biznesit të këtij të fundit.
Insajderi ka siguruar edhe pamje të të dyshuarit që mbeti i plagosur.
FOTO/ Pajtim Gashi/
Deri më tani nuk dihet motivi që mund të ketë çuar deri te plagosja e të riut nga Prishtina dhe se ende nuk është arritur të bëhet identifikimi i dy personave tjerë të përfshirë në plagosje.
Insajderi ka kontaktuar edhe me mjekun kujdestar në QKUK, Naser Syla, i cili ka konfirmuar se gjendja e të plagosurit është jashtë rrezikut për jetë.
“Gjendja momentale është jashtë rrezikut për jetë. I kemi përfunduar të gjitha procedurat mjekësore dhe besoj që brenda ditës do të jetë i gatshëm edhe që të lirohet nga spitali”, ka thënë Syla për Insajderi.
Në anën tjetër, zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinë, Flora Ahmeti, ka dhënë detaje të hetimeve policore për zbardhjen e rastit.
“Rreth orës 10:00, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet e para raportohet për një person të lënduar, i cili dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, tha Ahmeti.
Insajderi po ashtu ka siguruar edhe pamje ekskluzive të momentit kur ka ndodhur plagosja.