Gazeta Insajderi ka mësuar se shtetasi i Maqedonisë së Veriut, Ardina Kastrati është arrestuar kur është paraqitur në Ministrinë e Brendshme, Divizioni për të Huaj.Ky divizion njoftoi njësitin FAST të Policisë pasi që kuptoi se i njëjti kërkohej përmes Interpolit. Insajderi sjell detaje se për çka dyshohet ai.
Gazeta Insajderi
Në fund të tetorit nëntor të këtij viti Ardian Kastrati, shtetas i Maqedonisë së Veriut, kishte shkuar në zyrat e Ministrisë së Brendshme, Divizioni për të Huaj.
Në këtë Divizion kryhen procedurat e marrjes së leje-qëndrimit. Por, divizioni i njëjtë i MPB-së ishte i njoftuar se ndaj të njëjtit person tashmë ishte një urdhër-arrest i futur në sistem të Interpolit.
Gazeta Insajderi merr vesh që në shtetin fqinj ai dyshohet për veprën penale të mashtrimit, për çka edhe është lëshuar urdhër-arresti.
Divizioni për të Huajt në MPB pastaj kishte njoftuar Policinë e Kosovës, dhe njësiti i veçantë për zbatimin e urdhrave të Interpolit, FAST, ishte angazhuar për arrestimin e të njëjti- dhe ndaj Kastratit tashmë kanë nisur procedurat e ekstradimit.
I njëjti, para se të arrestohej kishte deponuar një kërkesë në Divizionin për të Huaj për ta marrë një leje-qëndrimi në Kosovë, por më 31 tetor, Ardiani Kastratit (i lindur në vitin 1983 në Shkup) i refuzohet “kërkesa për fitim të leje qëndrimit të përkohshëm në Republikën e Kosovës”. Në kërkesën për të marrë këtë leje ai kishte prezantuar dokumente që nuk është i dënuar në Maqedoninë e Veriut, dhe madje edhe një certifikatë biznesi.
Paraqiti edhe dëshmi se ka mjete të mjaftueshme për të jetuar në Kosovë, si dhe sigurimin shëndetësor. Por, procedura shkoi keq për Kastratin, pasi që në procesin e verifikimit doli që ndaj tij ka fletë-arrest.
Ky rast ishte bërë i ditur shkarazi edhe nga Policia, në një raport 24 orësh. ““Prishtinë 05.11.2024-12:40. Pas një pune operative të njësitit FAST, është arritur të identifikohet dhe të arrestohet i dyshuari mashkull shqiptar shtetas i Maqedonisë i kërkuar nga Maqedonia e Veriut.
Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhej në raport.