Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës ka inicuar procedurë disiplinore ndaj trajnerit Tahir Batatina dhe klubit të Llapit për shkak të sjelljeve josportive në ndeshjen kundër Prishtinës.
Sipas vendimit të KG-së thuhet se Batatina pas përfundimit të ndeshjes është vërsulur disa herë në drejtimin të gjyqtarit kryesor dhe të kolegëve të tij në mesin e fushës, duke përdorur gjuhë vulgare ofenduese dhe kërcënuese, pastaj duke shkuar në drejtim të bankinës bie në provokimin e shikuesve të cilëve ju tregon gishtin e mesit të dorës, i fyen shikuesit e pranishëm duke provokuar një eskalim të mundshëm të masës.
Po ashtu bëhet me dije se Batatina kishte tentuar ta sulmonte gjyqtarin Genc Nuza edhe në tunelin e stadiumit por që është penguar nga policia.
“Ndaj kryetrajnerit të KF ”Llapi”, Tahir Batatina nr ID 01144M77. Motivi: Pas përfundimit të ndeshjes është vërsulur disa herë në drejtimin të gjyqtarit kryesor dhe të kolegëve të tij në mesin e fushës, duke përdorur gjuhë vulgare ofenduese dhe kërcënuese, pastaj duke shkuar në drejtim të bankinës bie në provokimin e shikuesve të cilëve ju tregon gishtin e mesit të dorës, i fyen shikuesit e pranishëm duke provokuar një eskalim të mundshëm të masës. Për këto sjellje jo sportive dhe vullgare ndëshkohet me karton të kuq direkt. I njëjti pas ndëshkimit ka tentuar ta sulmojë fizikisht gjyqtarin kryesor por falë intervenimit të policisë është evituar sulmi. Po ashtu edhe në tunelin e stadiumit dukshëm i frustruar ka tentuar ta sulmojë fizikisht gjyqtarin por sërish është penguar nga policia. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes, Genc Nuza dhe xhirimit televiziv në ndeshjen Prishtina – Llapi”, thuhet në vendimin e KG-së.
Përpos Batatinës, procedurë është inicuar edhe ndaj klubit të Llapit, për shkak të komunikatës për media pas përfundimit të takimit.
“Ndaj: KF “Llapi“. Motivi: Pas përfundimit të ndeshjes lëshon komunikatë për media, përmes së cilës akuzon gjyqtarin kryesor Genc Nuza, e ofendon dhe kërcënon të njëjtin se nuk do t’i ofrojnë siguri nëse delegohet në ndeshjet kur KF “Llapi“ i zhvillon ndeshjet në Podujevë”, thuhet në vendimin e publikuar sot.
Procedurë është inicuar edhe ndaj klubit të Prishtinës për shkak të sjelljeve të tifozëve të tyre.
“Ndaj: FC “Prishtina“. Motivi: Lëshim në organizim të ndeshjes Prishtina –Llapi. Pas përfundimit të pjesës së parë të ndeshjes Prishtina-Llapi ekonomi i KF Llapi”, Besart Hoti nr ID 020190M96 ka kaluar rrethojat e stadiumit futet në fushën e lojës në drejtim të gjyqtarëve ofendon dhe kërcënon, për çka ndëshkohet me karton të kuq direkt edhe pse nuk ishte i evidentuar në protokolin zyrtar të ndeshjes. Po ashtu gjatë gjithë ndeshjes lejohen disa persona të qëndrojnë prapa bankinës mysafire të cilët ofendojnë dhe pengojnë në kryerjen e detyrës kreytrajnerin e ekipit mysafir. Në min 3 dhe 65 shikuesit vendas “Plisat“, hedhin mjete piroteknike brenda rrethojave të fushës. Sipas raportit të zyrtarëve të ndeshjes dhe xhirimit televiziv në ndeshjen Prishtina -Llapi”, thuhet në vendimin e Komisonit të Garave të FFK-së.