Dy tërmete të fuqishme e kanë goditur veriperëndimin e Kroacisë, janë ndier në Petrinje, Sisak, Zagreb, por edhe në Bosnje dhe Hercegovinë.
Një tërmet me fuqi prej 5,0 ballëve e ka goditur rajonin në mes të Zagrebit dhe Sisakut të hënën në mëngjes në orën 7:49, ka publikuar Qendra Evropiane Mesdhetare Sizmologjike.
Epiqendra ishte në thellësi prej 10 kilometrave, 44 kilometra në juglindje të Zagrebit dhe 11 kilometra në jugperëndim të Sisakut.
Tërmeti i parë me fuqi prej 5,2 ballëve e goditi të hënën në mëngjes pjesën veriperëndimore të Kroacisë me epiqendrë 12 kilometra në veriperëndim të Sisakut, ka publikuar Qendra Evropiane Mesdhetare Sizmologjike.
Tërmeti u ndie në gjithë zonën e Sisakut dhe i detyroi qytetarët të dalin nëpër rrugë.
Për momentin nuk dihet çfarë dëme ka shkaktuar.
Shërbimet sizmologjike të Kroacisë kanë raportuar se magnituda ishte më e vogël sesa që ka raportuar QEMS. Siç pretendojnë ato, në orën 7 e 49 minuta, pastaj në orën 7 e 51 minuta, shërbimet sizmologjike kanë shënuar dy tërmete të fuqishme me epiqendër 5 kilometra në juglindje të Petrinjes. Magnitudat e tërmeteve ishin 4,7 dhe 4,1 ballë sipas shkallës së Richterit.
Në gjithë qytetin janë aktivizuar alarmet e veturave, dhe sipas informatave të para nëpër banesa ka pasur mjaftë dëme, orenditë janë lëkundur dhe kanë rënë, fotografitë nga muret dhe të gjashme, transmeton Hina. Në Zagreb njerëzit ende gjenden nëpër rrugë, por nuk ka raportime për dëme nëpër objekte./Insajderi.org.