Ndërmarrja Publike e Komunës së Prishtinës, “Termokos”, ka ndarë një buxhet prej 50 mijë euro për shërbimet e marketingut.
Termokos ka zgjedhur një medium jo shumë të njohur për të promovuar punën e vet, shkruan Demokracia.com.
Në mesin e tetë garuesve për kontratën është rekomanduar “Dasma TV”, që ndryshe njihet si televizioni DTV, i cili kryesisht ofron programe argëtuese dhe është bërë i njohur për transmetimin e dasmave të ndryshme. Megjithatë, ndërmarrja komunale nuk e ka paraparë regjistrimin e dasmave të punëtorëve të saj, por disa shërbime të marketingut që lidhen me promovimin e punës së saj.
Kuvendi Komunal ka kompetenca mbi ndërmarrjen, pasi është aksionar me 100% të aksioneve. Tre persona janë aksionarë të deleguar aty: dy asamblistë nga Kuvendi Komunal dhe një person i deleguar nga kryetari i komunës. Njëri nga asamblistët që është aksionar është edhe Milazim Vitija. Ata kanë kompetenca mbi Bordin e Drejtorëve, pasi e emërojnë dhe shkarkojnë atë.
Demokracia.com ka gjetur se pikërisht asamblisti i LDK-së që është edhe aksionar në Termokos, Milazim Vitija, është i përfshirë në disa seriale në këtë televizion, të njohura si ‘Tregime Popullore’. Këtë e tregon edhe vetë ai në rrjetin social Facebook.
Fotografi me Milazim Vitinë ka postuar edhe drejtori i televizionit “DTV”, respektivisht i biznesit “Dasma TV” që është gjithashtu aksionar në këtë biznes, Ramiz Vitia.
Tri oferta kanë qenë më të lira sesa ajo e televizionit argëtues “TV Dasma”, por ato janë cilësuar si të papërgjegjshme. Jashtë është lënë edhe Agjencia e Lajmeve KosovaPress, e cila ka pasur ofertë të ngjashme me fituesin.
Sipas paramasës së tenderit që e ka parë Demokracia.com, Termokos kërkon këto shërbime:
Kryeshef ekzekutiv në NP “Termokos” sha është Fisnik Osmani, i cili në zgjedhjet e fundit lokale ishte përzgjedhur asamblist nga radhët e LDK-së. Megjithatë, pas një konkursi të hapur, ai braktisi postin politik për të marrë drejtimin e ndërmarrjes.