Ndërmarrja “Termokos”, që për kryeshef ka Fisnik Osmanin e LDK-së, ka dhënë një tender të negociuar. Me këtë kontratë shpërbleu kompaninë IPKO. Ndonëse në Kosovë ekzistojnë disa kompani që ofrojnë shërbime interneti, kjo ndërmarrje nuk ia dha mundësinë që të ofertojnë hapur për këtë tender.
Gazeta Insadjeri
Ngrohtorja, “Termokos”, ditën e sotme (29.08,2024), ka njoftuar se ka shpërblyer me kontratë kompaninë “IPKO Telecommunications”.
Vlera e kësaj kontrate është 12 mijë euro dhe u dha për shërbime interneti.
Në njoftimi për kontratë thuhet se vlera mujore që do paguaj “Termokos”, për shërbime interneti është 279.89 euro në muaj.
Pse u dha kontrata me negocim?
Në vendin tonë ekzistojnë disa kompani që ofrojnë shërbime interneti. Por, që “Termkos”, ka vendosur që ta favorizoj kompaninë “Ipko”.
Kjo ndërmarrje ka kufizuar konkurrencën në këtë kontratë duke mos ia dhënë mundësinë operatorëve të tjerë që të japin ofertat në formën e hapur.
Kontratat njëburimore mund të lidhen sipas Ligjit të Prokurimit Publik por duhet të plotësohen disa kushte.
Ndër këto kushte sipas nenit 35 janë: Në raste emergjente kur nuk ka kohë për të ndjekur procedurat e zakonshme ose kur ekzistojnë arsye të veçanta teknike ose artistike që justifikojnë përzgjedhjen e një ofruesi të veçantë.
“Nëse, për arsye objektive dhe të detyrueshme teknike ose artistike, kontrata duhet ti ipet një operatori të caktuar ekonomik; Nëse, për arsye të mbrojtjes së të drejtave të pronës intelektuale apo industriale apo të drejtave ekskluzive, kontrata mund t’i ipet vetëm një operatori të caktuar ekonomik;
Nëse, për aq sa është shumë e nevojshme për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues, autoriteti i tillë kontraktues nuk mund ta japë kohën e kërkuar për ushtrimin e cilësdo procedurë tjetër që parashtrohet në këtë ligj.”, thotë ligji.
Në ndërkohë kjo ndërmarrje në shpalljen e fituesit të tenderit, tha se kontrata u dha sipas kushteve të parapara.
“Tenderi juaj është vlerësuar me kujdes sipas kushteve dhe kërkesave të dhëna në njoftimin për kontrate dhe në dosjen e tenderit. Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se ju keni dorëzuar si përgjigje ndaj [ftesës për të dorëzuar tenderët në procedurën e kufizuar për aktivitetin e prokurimit te lartcekur. Juve ju është dhënë kontrata me çmimin e saktësuar në tenderin tuaj dhe në pajtim me afatet dhe kushtet e dosjes së tenderit“, thuhet në njoftim.
Aty përmendet se kjo kontratë është e përkohshme.
“Dhënia e kontratës është e përkohshme dhe nuk përbën një marrëveshje kontraktuale deri në skadimit te intervalit, gjatë të cilit ofertuesit e pasuksesshëm mund të kërkojnë shqyrtimin e vendimit“, shkruhet në vendimin e “Termkos”.
Kontratat njëburimore janë ngritur si problem për diskutim nga organizatat e shoqërisë civile që e monitorojnë prokurimin publik./Insajderi.org/