Kryeshefi ekzekutiv i ngrohtores “Termokos”, Fisnik Osmani, ka bërë të ditur se më shumë se 17 mijë njësi banimi, në të cilat janë instaluar pajisjet matëse për radiatorët, do të faturohen sipas shpenzimeve reale.
Ndërkohë, për njësitë e tjera pa matës, faturimi do të vazhdojë sipas sipërfaqes në metra katrorë edhe për këtë sezon.
Osmani, njoftoi se janë bërë të gjitha përgatitjet për të filluar sezonin e ngrohjes më 15 tetor.
Ai gjithashtu theksoi se kyçja e “Banesave të Bardha” në sistemin ngrohës do të vonohet për shkak të komplikimeve në ndarjen e mjeteve nga Komuna e Prishtinës.
“Zyra e Rregullatorit të Energjisë është institucioni i vetëm i cili e rregullon pjesën e tarifave të ngrohtores. Pra, kalkulimet e tyre barten në faturat të cilat termokosi i dërgon tek qytetarët. Deri në këtë sezonë ne e kemi pasur vetëm një formë të faturimit, ka qenë forma përmes metrit katror. Atë formë, po flas për sektorin banesor, për shkak se sektori afarist dhe te institucionet kemi faturuar me matës edhe në sezonat paraprake. Prej këtij 15 tetori e tutje 17 mijë e 500 njësi të banimit në të cilat ne e kemi bërë instalimin e pajisjeve të matjes, qoftë në radiator ose në pjesën e shpërndarjes përmes konektorëve do të faturohen me pjesën e konsumit. Pra, aq sa shpenzojnë, aq do të faturohen…Pjesa tjetër të cilët nuk janë instaluar matësit, do të vazhdohet me metrat katror”, potencon Osmani.
Ani pse ishte planifikuar që “Banesat e Bardha” të kyçen në sistemin ngrohës këtë sezon, për shkak të disa arsyeve është komplikuar procesi i ndarjes së mjeteve nga Komuna e Prishtinës për intervenim në këtë pjesë.
“Sa i përket pjesë së Banesave të Bardha, ne në fillim të mandatit tonë, kemi pasur përkushtimin që fillimisht të bëjmë kalkulimet për Banesat e Bardha…Komuna ka ndarë një buxhet, mirëpo për shkaqe objektive, subjektive është komplikuar procesi i ndarjes së atyre mjeteve dhe fatkeqësisht ne nuk i kemi ato mjete në konto. Këtë vit para pak muajsh ne kemi bërë ndarjen e një buxheti vetanak të ngrohtores dhe planifikojmë që të bëjmë intervenime tek pjesa e Banesave të Bardha. Atje janë 29 objekte banesore përfshirë edhe shkollën fillore të mesme të ulët ‘Iliria’ e cila do të jetë pjesë e ngrohtores. Ne kemi pasur synimet që këtë vit ta bëjmë instalimin por me gjasë këtë vit do të bëjmë maksimumin që të nisim procedurat e prokurimit për shkak se na duhen materiale shtesë dhe planifikojmë që këtë vit nëse gjithçka shkon në rregull në aspektin administrativ të fillojmë pjesën e punimeve për atë zonë. Përkushtimi është që në vitin e ardhshëm të ketë ngrohje”, thotë Osmani.
Sipas tij, këtë vit, furnizimi nga ngrohtorja do të përfshijë rreth tre milionë metra katror në Prishtinë, në sektorin afarist dhe banesor.
Më tutje ai shtoi se do të jenë mbi 30 mijë njësi të banimit që do të marrin këtë shërbim.
“Jemi bërë gati dhe mund të konfirmoj që me datën 15 tetor, nëse nuk ka nevojë më herët për shkak të ndryshimit potencial të temperaturave ne do të fillojmë me sezonin ngrohës dhe shpresoj që çdo gjë do të shkojë mirë… Jemi diku në tre milionë metra katror në Prishtinë, në sektorin afarist dhe në atë banesor, duke pasur mundësi dhe aftësi për furnizuar më tepër se 30 mijë njësi të banimit…Gjatë kësaj periudhe ne jemi koncentruar që në objektet e rëndësisë së veçantë, siç janë shkollat, Qendrat e Mjekësisë Familjare, çerdhet të bëjmë intervenime dhe ndërhyrjet kudo që ka mundësi”, tregon Osmani.