
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, Rrahim Tërnava ka thënë se rinia e Fushë Kosovës ka ide të mëdha por siç tha “mungon mbështetja”.
Sipas tij, kjo do të ndryshojë me Tërnavën si kryetar.
“Do të mbështesim 200 ide biznesore dhe “start-up” të të rinjve dhe grave të qytetit tonë, me nga 10,000 euro secila – për t’i kthyer ëndrrat e tyre në biznese të vërteta”, ka shkruar Tërnava në Facebook.
Ai tha se Fushë Kosova ka të rinj të talentuar e kreativë, që mund të krijojnë vende pune dhe zhvillim ekonomik, por shpesh ndalen sepse nuk i ndihmon askush.
“Ne do t’i japim mundësinë që ata ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, në qytetin e tyre”, ka shkruar ndër të tjera kandidati për kryetar në Komunë të Fushë Kosovës.