Kërcënimi nga terrorizmi nuk është kërcënim i ri, por një fytyrë tjetër e tij. Për ta luftuar sa më shumë këtë rrezik global, duhet të ketë bashkëpunim sa më të ngushtë mes shteteve.
Këto janë disa nga vlerësimet që janë dhënë në konferencën e Zagrebit e organizuar nga Qendra për Bashkëpunim dhe Siguri dhe Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, si dhe OSBE.
“E vetmja mënyrë për t`u përballuar me terrorizmin është bashkëpunimi më i ngushtë mes shteteve”, është thënë aty.
Gjatë kësaj konference, përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrëse u pajtuan se komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë si një front i bashkuar kundër të gjitha formave të terrorizmit dhe se nuk mund të ketë justifikim për terrorizëm, duke shtuar se lufta kundër terrorizmit nuk mund të jetë selektive, thuhet në komunikatën e Minsitrisë së Drejtësisë.
Në këtë takim po merr pjesë zv/ministri i Drejtësisë, Lirak Çelaj, i cili para të pranishmëve shpalosi punën e Ministrisë për luftën kundër terrorizmit.
“Ministria e Drejtësisë dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të vendosura në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, ka thënë ministi Çelaj.
Gjatë kësaj konference do të vazhdojnë diskutimet mbi adresimin e zgjidhjeve të mundshme dhe praktikave më të mira në menaxhimin e kufirit me një fokus në identifikimin e luftëtarëve të huaj terrorist në rrugën e tyre nga zonat e luftës, si dhe identifikimin e mënyrave të mundshme për të krijuar programe adekuate afatgjate, rehabilituese dhe ri-integruese, në veçanti për individët të cilët janë identifikuar dhe ndjekur penalisht si luftëtarë të huaj terrorist./Insajderi.com