
Tre të rinj mbetën të vdekur të shtunën e 16 dhjetorit në autostradën “Ibrahim Rugova” si pasojë e garave ilegale. Të njëjtit u goditën nga njëra prej veturave që po garonte me një veturë tjetër.
Për garën e zhvilluar që për pasojë solli tri vdekje, tashmë kanë filluar të merren masa. Personi i parë, ndaj të cilit janë marrë masa është komandanti i Trafikut Rajonal në Prizren, Hasan Tërshana.
Tërshanës i është ndryshuar pozita e punës, nga komandant i zonës Rajonal të Prizrenit, në një pozitë tjetër.
Këtë e ka konfirmuar vet Tërshana në prononcim për Insajderin, teksa ka shtuar se vendimi sipas tij nuk është i drejt dhe se do të ankohet.
Ai ka potencoi se me autostradat merret Njësia e autostradave e jo ajo e Trafikut.
“Po është e vërtetë që më ka ndryshuar pozita e punës. Dje e kam marrë vendimin për ndërrim të pozitës prej shefit të Njësisë së Trafikut në pozitë tjetër të operativës. Për mua ka qenë e pa drejtë e papritur sepse nuk është ajo pjesë zona e autostradës që mbulohet nga Njësia e Trafikut ajo i përket Njësisë së Autostradës“, u shpreh Tërshana.
“Prej dje, kur edhe e kam marrë vendimin, tani jam zhvendosur udhëheqës në qendrën rajonale operative”, tha ai.
“Trafiku i ka aktivitetet më të mira thuajse në nivel të Kosovës, se di përse unë jam këtu, por sidoqoftë do t’i shfrytëzojë të drejtat e mija, ankimin dhe të shohim”.
Nga gara ilegale me vetura që u mbajt të shtunën në mbrëmje, në autostradën “Ibrahim Rugova”, mbetën të vdekur tre të rinj: Lordon Syla, Molos Delija dhe Nue Bibaj.
Theksojmë se në këtë vit 104 qytetarë kanë humbur jetën në aksidente./Insajderi