Hetuesit policor kanë zbuluar se njëri nga të dyshuarit kryesor për sulmin terrorist në Bruksel ka lënë një testament të shkruar.
Teksti u gjet në një kompjuter dhe ishte fshirë, dhe i atribuohej Mohamed Abrinit, “njeriut me kapelë” që u pa së bashku me sulmuesit e tjerë në aeroportin e Brukselit.
Edhe pse ai i kishte thënë hetuesve se nuk ishte në gjendje të lëndonte as edhe një insekt, teksti i testamentit sugjeron se ai i ka miratuar sulmet e nëntorit në Paris dhe ka dashur që edhe vetë të vdesë si martir, njofton BBC.
Mohamad Abrini ka dashur që të fshijë këtë tekst nga kompjuterin, duke e zhvendosur atë në “recycle bin” (shporta e mbeturinave).
Ne testamentin e tij, që është i datës 2 shkurt, Abrini sqaron se vdekje e vëllait të tij në një sulm vetëvrasës në vitin 2014 në Siri e ka bërë atë më shumë fetar.
Pas kësaj, 31 vjeçari nga Maroku që ka jetuar në Belgjikë ka vendosur që t’i bashkohet organizatës terroriste ISIS.
Ai i ka përshkruar sulmuesit e Parisit si “heronj”, ka kërkuar falje tek nëna e tij, dhe ka thënë se pret që të takojë vëllain e tij në parajsë.
Abrini është duke u mbajtur në burgun në Belgjikë që kur u arrestua në mënyrë dramatike në Bruksel më 8 Prill, më shumë se dy javë që nga sulmet terroriste në Bruksel që lanë të vdekur 32 persona.
Ai po ashtu po hetohet për lidhjet e tij me sulmuesit e Parisit, të cilët vranë 130 njerëz./Insajderi.com