Dëshmitari Rrustem Tetaj teksa foli për takimet me Hashim Thaçin në Kazermën e Prapaqanit, tha se sa herë shkonte tashmë i akuzuari atje, ata kishin nga pak probleme.
“Sa herë ka ardhë Hashim Thaçi ne kemi pas pak probleme në kazermën e Prapaqanit bash mu për këtë se ishin dy fraksione. Kishin divergjenca të mëdhaja në mes, a në realitet ishim një Ushtri”, tha Tetaj.
Përpara kësaj, dëshmitari tha se në zyrën e tij e ka pasur një fotografi të Ibrahim Rugovës.
“Ka qenë fotografia e Rugovës, kështu që asokohe ka qenë më shumë aktuale që të merren me Ibrahim Rugovën dhe anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës sesa vetë me ushtrinë ose me organizimin e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Tetaj.
Ai shtoi se ka pasur presion në atë kohë që asgjë të mos jetë në emër të Ibrahim Rugovës. “Presioni ka qenë që kurgja mos me qenë në emër të dr. Ibrahim Rugovës. Kur them asgjë them që as fotografia, njerëzit që ishin anëtarë të LDK-së. Megjithëse atëherë sa më kujtohet, të gjithë ne ishim ushtarë”, tha dëshmitari.