
Viteve të fundit, interesimi për adoptimin e fëmijëve të braktisur apo pa përkujdesje prindërore, është më i madh krahasuar me periudhat paraprake.
Interesimi vërehet jo vetëm nga familje kosovare, por edhe ato jashtë saj.
Por, edhe numri i fëmijëve të braktisur vazhdon të jetë i lartë. Vetëm gjatë vitit të kaluar, në Kosovë janë braktisur 46 fëmijë.
Ndërsa, deri tani këtë vit janë braktisur tetë fëmijë.
Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e Koalicionit për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF, thotë se ka mungesë të punës për parandalimin e braktisjes së fëmijëve.
“Ka mungesë të theksuar të punës në parandalim të braktisjes, ka moskoordinim të bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe ka paqartësi rreth procedurave për fëmijët e braktisur për zgjidhjen e statusit dhe adoptimin”, ka thënë ajo për Radio Evropa e Lirë.
“Pra, nuk ka unifikim të procedurave ndërmjet komunave. Ka neglizhencë të afateve ligjore dhe kohore, e që është e dëmshme për mbrojtjen e fëmijëve të braktisur”.