Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ditë më parë deklaroi se ekziston kinse një listë e zezë e misionit paqeruajtës të NATO’s në Kosovë, KFOR, që ndalon hyrje-daljet e qeveritarëve.
“Dikur ma ndalën komplet qeverinë. Kur erdhën amerikanët, ma qitën me letra, me fotografi. Ju thashë: ‘A jeni bre normal ju? Qysh funksionon kryetari pa një qeveri, që komplet e keni shti në listë të zezë?’” – tha Hetemi.
Ai tha më pastaj në këtë listë përfshiheshin emra si Radoica Radomiroviq, Arbër Vokrri dhe Elbert Krasniqi, ndërsa përjashtime ishin kryeministri dhe presidentja Vjosa Osmani.
“Kam thënë KFOR-it amerikan që nuk dal prej këtuhit pa u stabilizu gjendja edhe qytetari serb me ardh këtu, e jo me shku në Bistric me u maltretu”, shtoi ai.
Ndaj këtyre deklarimeve ka reaguar KFOR’i, duke i mohuar pretendimet e Hetemit të VV’së. KFOR ka thënë se s’ndërhyn në lirinë e lëvizjes të qytetarëve të Kosovës.
“KFOR-i nuk ndërhyn në lirinë e lëvizjes së individëve nëpër Kosovë,” thuhet në deklaratën zyrtare.
Ata theksojnë se mbajnë komunikime të rregullta me të gjithë homologët kryesorë dhe veprojnë me transparencë përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.
KFOR-i gjithashtu u bëri thirrje të gjithë aktorëve që të shmangin deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione të panevojshme dhe të ndikojnë negativisht në stabilitetin rajonal.