Thaçi me akuza të rënda ndaj BE-së për vonesën e liberalizimit të vizave – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi me akuza të rënda ndaj BE-së për vonesën e liberalizimit të vizave

    Insajderi
    03 November 2016 - 20:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka akuzuar Bashkimin Evropian “për trajtim të veçantë” ndaj Kosovës në krahasim me shtetet e tjera të rajonit lidhur me liberalizimin e vizave.

    Në një shkrim të publikuar në gazetën New Europe, Thaçi thotë se Kosovës përvec që iu vonua dhënia e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, BE-ja caktoi edhe më shumë kritere se sa për vendet e tjera.

    “Ne s’kemi se si të mos e vërejmë trajtimin e veçantë të Kosovës, në krahasim me fqinjët e saj, kur bëhet fjalë për procesin e liberalizimit të vizave. Teksa pjesa tjetër e vendeve të Ballkanit Perëndimor morën një Udhërrëfyes më 2008, Kosova u desh të pres deri më 2012 për të marrë të njëjtin”, ka shkruar ai.

    “Përderisa vendeve të rajonit iu mundësua udhëtim pa viza në zonën Shengen më 2009 dhe 2010, qytetarët e Kosovës ende po presin për të njëjtën mundësi. Përderisa vendeve të rajonit iu dhanë udhërrëfyes me më pak se 50 kërkesa, udhërrëfyesi për Kosovën përfshinte 95 kërkesa! Për më tepër, kriteret për Kosovën përfshinin disa fusha që nuk janë drejtpërdrejt të lidhura me politikën për vizat, dhe nuk u janë kërkuar asnjë vendi tjetër të rajonit dhe më gjerë”, shkruan ai.

    Ai poashtu thotë se Kosova ka bërë mjaftueshëm edhe për dy kriteret e mbetura, ashtu siç është caktuar nga Komisioni Evropian në maj të këtij viti. Për më tepër, lidhur me luftën e krimit të organizuar e korrupsionit, Thaçi thotë se institucionet e Kosovës kanë shënuar përparim në këtë drejtim ndërsa përmend faktin se BE-ja “ende ushtron kompetenca ekzekutive” në institucionet e pavarura gjyqësore.

    Thaçi thotë se për kriterin tjetër, atë të demarkacionit kufitar me Malin e Zi, “ka pasur përpjekje të fuqishme nga ana e qeverisë për të kryer këtë proces”.

    Për me tepër, ai ngrit pyetjen se “nëse demarkacioni i kufijve ka shumë rëndësi, atëherë pse ai nuk i është kërkuar asnjëherë ndonjërit prej vendeve të tjera në rajon?”

    “Sidoqoftë, unë jam i sigurt se demarkacioni me Malin e Zi do të përfundojë, por presioni që ta bëjmë këtë brenda afateve jorealiste më shumë do të bëjë dëm, sesa do të ndihmojë.”

    “Duke marrë parasysh përpjekjet e jashtëzakonshme vitin e kaluar, në një kohë kur disa zëra opozitarë kanë zgjedhur mënyra të dhunshme për të dëmtuar punën tonë, Kosova ka nevojë që BE’ja të rritë angazhimin e saj dhe të mundësojë atë që ne kemi arritur me meritë. Shtetet anëtare të BE’së duhet të heqin Kosovën nga lista e zezë e Shengenit dhe t’i lejojë qytetarët e Kosovës të vizitojnë miqtë dhe familjet e tyre në Evropë pa iu nënshtruar procesit të kushtueshëm dhe të gjatë të aplikimit për viza”, shkruan ai./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark