Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vazhduar me postimet e tij në rrjetin Facebook lidhur me vizitën e Zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden.
Së fundi ai ka treguar detaje nga biseda që ka pasur me Biden, që sipas Thacit, ka tërhequr vërejtjen “se një pakicë është duke cenuar seriozisht të tashmen dhe të ardhmen tonë, duke rrezikuar ta lë Kosovën pa përkrahje dhe pa miq është e mirëseardhur dhe e pranuam me përgjegjësi të plotë”.
Thaçi ka thënë se këto mesazhe dhe porosi janë të fuqishme sidomos kur vijnë nga “miqtë e zëmrës”, duke iu referuar zyrtarit të lartë amerikan.
“Zëvendëspresidenti Biden është një mik i tillë, i imi dhe i tërë Kosovës. Përkrahja për rrugën e Kosovës, për paqen dhe stabilitetin, për dialogun dhe pajtimin, për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe për integrim është inkurajimi më i madh se jemi në rrugën e duhur”, ka shkruar Thaçi.
Joe Biden ka ardhur mbrëmë në Kosovë pas një vizite që ka pasur në Beograd. Ai sot ka takuar edhe kryeministrin Isa Mustafa./Insajderi.com