Në një kumtesë të përbashkët të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe anëtarit të Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Eliot Engel, kërkohet lirimi sa më i shpejtë i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Ne besojmë se abuzimi i Serbisë me sistemin, Njoftimi i Kuq, i Interpolit, që ka çuar në arrestimin e Ramush Haradinajt, është tmerrues”, thuhet në njoftimin e Zyrës së demokratit Engel dërguar medieve.
“Ne kërkojmë nga Franca që në mënyrë efikase ta procesojë rastin dhe ta kthejë atë në shtëpi në Kosovë, sa më shpejtë”, thuhet aty.
Më tutje, në deklaratën e dërguar mbrëmë vonë, pas një takimi Engel – Thaçi, theksohet se “Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet ta mbajnë përgjegjëse Serbinë për këtë abuzim të Interpolit” dhe se “në Evropë, procesi i pranimit të Serbisë duhet të ndalet derisa ajo të vazhdojë me obligimet e saj për normalizim të raporteve me Kosovën”, shkruan REL.
“Po ashtu, Shtetet e Bashkuara duhet t’ia bëjnë të ditur Beogradit se raportet do të vuajnë derisa ai të kthehet në rrugën konstruktive”, thuhet në fund të deklaratës së përbashkët të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe anëtarit të Dhomës Përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara, Eliot Engel.