Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka nderuar sot Enver Zymberin, polici që u vra pesë vjet më parë gjatë aksionit policor për ta kthyer kontrollin në dy pikat kufitare në veri të vendit.
“Pesë vite më parë ra heroikisht në krye të detyrës Enver Zymberi, të cilin sot e kujtojmë me krenari, duke nderuar sakrificën, jetën dhe veprën e tij, si shëmbëlltyrën më të mirë se si mbrohet Kushtetuta dhe ligjet e shtetit”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në facebook.
“Integrimi i veriut dhe bashkimi territorial i Kosovës mbajnë gjurmët e lavdishme të rënies heroike të Enver Zymberit”, ka thënë më tej ai.
“Çdoherë kur kujtojmë 25 dhe 26 korrikun e vitit 2011, kujtojmë sakrificën e grave dhe burrave policë të Kosovës, që bënë të mundshëm bashkimin e Kosovës”, ka përfunduat Thaçi./Insajderi.com