Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është duke marrë pjesë në ditën e dytë të takimeve të liderëve të rajonit që po mbahen në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Presidenti Thaci ka thënë në këtë samit se në vendet e Ballkanit është shënuar përparim pas krizav të viteve 1990.
Por, sipas tij, mbetet edhe shumë për tu bërë.
“Ka shumë standarde dhe kritere të reja që janë të pakuptueshme dhe të pazbatueshme në rajon nëse nuk përmirësohet situata. Të gjithë e ndjejnë krizën në rajon, të gjitha vendet, të gjithë ne jemi vende shumëkombëshe dhe të gjithë i ndjejmë pasojat e asaj që po ndodh. Por më e rëndësishmja është që kemi filluar të bisedojmë” tha Thaçi.
Në këtë samit ku po diskutohet për zhvillime ekonomike dhe çështje të tjera, po merr pjesë edhe presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic.
Ai ka thënë në takim se mbijetesa e BE-së është jetike për gjithë rajonin, por vlerësoi se hyrja e Serbisë në BE nuk do të thotë asgjë pa anëtarësimin e vendeve të tjera të Ballkanit. Sfida më e madhe për Serbinë, tha Nikoliq, është kapitulli 35 (normalizimi i plotë me Kosovën) por edhe çështjet e tjera, njofton Evropa e Lirë.
Pjesëmarrësit e procesit Bërdo Brioni, fillimisht të shtunën kanë adresuar çështjet e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë në kuadër të Samitit 100, që mbledhë afaristët nga i gjithë rajoni i Ballkanit dhe të cilët kanë shtruar kërkesat për heqjen “e barrierave politike” në kuadër të fuqizimit ekonomik.