Kryeministri Isa Mustafa dhe presidenti i zgjedhur, Hashim Thaci, kanë ngushëlluar për viktimat e sulmeve në Bruksel.
Përmes Twitter, Thaçi ka thënë të jetë i tronditur nga ky lajm dhe ka ngushëlluar për viktimat.
“Lajme tronditëse vijnë sot nga Brukseli. Ngushëllimet të mia të sinqerta për familjet e të gjitha viktimave”, shkruan Thaçi.
Në anën tjetër, Mustafa ka thënë se këto sulme dëshmojnë për nevojën e bashkimit të botës demokratike kundër të keqes dhe akteve terroriste.
“Duke shprehur dhimbjen e qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për viktimat njerëzore të këtij akti të rëndë terrorist, shprehu solidaritetin me familjet e viktimave dhe Qeverinë e Belgjikës, në këto momente të vështira”, është shprehur Mustafa.
Tri shpëthimë kanë ndodhur në orët e paradites sot në Bruksel: dy në aeroport dhe një tjetër në një stacion metroje. Deri më tani është raportuar për 23 të vdekur./Insajderi.com