
Në sheshin Skënderbeu po mbahet ceremonia e inaugurimit të Presidenti Hashim Thaçit. Para shumë mysafirëve, ai së bashku me ish-presidenten Atifete Jahjaga kanë parakaluar para Gardës së Nderit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Jahjaga tutje i ka dhuruar Thaçit kushtetuan e Kosovës, që sipas saj, duhet t’i shërbeje atij për të ndërtuar të ardhmen e Kosovës.
Thaçi në këtë ceremoni ka thënë se është president i heronjve të Kosovës.
“Si president, më lejoni të ju them se nuk dua të marrë mantelin e ndonjë heroi. Sot dua të ju them se jam i nderuar se jam president i heronjve, që të pamundurën e bënë të mundur, ëndrrën realitet. Hero sot është ai që ndan nga kafshata e gojës për të shkolluar fëmijën e ndërmarrësi që paguan taksa e punëson njerëz,” ka thënë ai.
“Hero është minatori, bujku, ambientalisti, studenti, heronj janë fëmijët që shkojnë në shkolla që ndërtuam me mundin tonë. Sot hero është prokurori i mirë, e gjyqtari i drejtë. Polici që ruan sigurinë e ushtari që garanton lirinë e paqen. Qytetari i Kosovës është hero.”
“Ju garantoj që shpresat, ëndrrat, e pritjet tuja, do të jenë ëndrrat, pritjet e vendimet e mija”, ka thënë Thaçi.
Disa minuta para fillimit të ceremonisë, është hedhur gaz lotsjellës në dy raste afër vendit ku po mbahet ceremonia
Kjo ceremoni mbahet një ditë pas betimit të tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Kjo është hera e parë që organizohet një ceremoni e tillë inauguruese për një president të Kosovës./Insajderi.com