Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se “Kosova duhet të përfshihet në mekanizmat ndërkombëtar antikorrupsion”.
Ai gjatë takimit me drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsion, Shaip Havollin, ka thënë se kjo agjenci “është një prej mekanizmave më të fuqishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Në këtë drejtim, ai ka thënë se nevojitet një bashkëpunim edhe më i madh i të gjitha institucioneve dhe autoriteteve hetuese e prokuroriale, me këtë institucion.
“Kemi progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por gjithnjë ekziston mundësia që të bëhet edhe më shumë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Nga ana tjetër, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, e ka informuar presidentin Thaçi për angazhimin e tij prej marrjes së kësaj detyre të re.
Havolli ka thënë se agjencia po angazhohet maksimalisht për zbatimin e ligjit dhe për luftimin dhe parandalimin e korrupsionit në vend, thuhet në komunikatën për media të Zyrës së Presidentit.
Presidenti Thaçi dhe kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit në Kosovë biseduan edhe për shtimin e përpjekjeve, që Kosova të përfshihet në mekanizmat ndërkombëtar antikorrupsion./Insajderi.com