
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot kryetarin e Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj, si dhe kryeprokurorin Aleksander Lumezi.
Presidenti Thaçi rikonfirmoi bashkëpunimin e Zyrës së Presidentit me këto dy institucione të rëndësishme të vendit dhe i përgëzoi ato për ndryshimet e fundit ligjore, që bënë të qartë ndarjen në mes tyre.
“Është e rëndësishme që këshilli të fuqizohet në rolin e vet mbikëqyrës”, theksoi presidenti Thaçi në bisedë me kryetarin Isufaj.
Ndërsa, duke përgëzuar Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit për funksionimin sa më efikas të Prokurorisë së Shtetit, presidenti Thaçi tha se kjo zyrë duhet të mbajë bajrakun në luftimin e krimeve, veçanërisht atyre të rënda, njofton Presidenca e Kosovës.
“Luftimi i korrupsionit, i krimit të organizuar dhe i krimeve të profilit të lartë kanë ndikim në imazhin e përgjithshëm për drejtësinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se çështjet në këtë front duhet të prioritizohen dhe se këto janë thelbësore për të ruajtur dhe forcuar besimin në drejtësinë në Kosovë.
Sipas një njoftimi nga zyra e presidentit, rëndësia e sundimit të ligjit në procesin e integrimit në BE, funksionalizimi i organeve të drejtësisë në pjesën veriore të shtetit, si dhe ngritja e kapaciteteve vendore dhe transferimi i kompetencave nga EULEX-i tek organet e Kosovës ishin pikat e tjera që u diskutuan në këtë takim.
“Sundimi i ligjit, drejtësia, janë qenësore për zhvillimin e tërësishëm të shtetit, që qytetarët e Kosovës të jetojnë me dinjitet dhe në prosperitet”, përfundoi presidenti Thaçi./Insajderi.com