Thaçi: Marrëdhëniet me Malin e Zi po përmirësohen vazhdimisht - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi: Marrëdhëniet me Malin e Zi po përmirësohen vazhdimisht

    Insajderi
    21 April 2016 - 11:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim kryetarin e Ulqinit, Nazif Cungu, i cili është edhe kryetar i partisë kryesore të shqiptarëve në Mal të Zi, Forca e Re Demokratike

    Presidenti Thaçi e siguroi kryetarin e Ulqinit se shqiptarët e Malit të Zi do të kenë vazhdimisht mbështetjen e tij personale dhe të Republikës së Kosovës, duke e uruar atë për rimarrjen e detyrës së kryetarit të komunës, si dhe për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO të Malit të Zi.

    “Marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi gjithnjë e më shumë janë duke u përmirësuar dhe popullsia shqiptare në Mal të Zi është një urë e rëndësishme komunikimi dhe lidhjeje mes dy shteteve”, ka thënë presidenti Thaçi.

    Siç thuhet në njoftimin e Presidencës, kryetari i Ulqinit, Nazif Cungu, pasi uroi presidentin Thaçi për marrjen e detyrës së re, mirëpriti qetësimin e situatës politike në Kosovë. “Kur Kosova është qetë, edhe shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në shtetet e tjera qetësohen, mirëpo kur Kosova është e tensionuar, ata ndihen shumëfish të shqetësuar”, tha kryetari i Ulqinit, Nazif Cungu.

    Kryetari i Ulqinit e njoftoi presidentin Thaçi edhe për gjendjen sociale dhe ekonomike të komunitetit shqiptar dhe për zhvillimet e fundit politike në Mal të Zi.

    Ai, gjithashtu, kërkoi ndihmën e presidentit Thaçi për të lobuar pranë Tiranës dhe Podgoricës, që të lehtësohet kalimi i pushuesve dhe mërgimtarëve kosovarë në pikën kufitare të Muriqanit, ku radha e makinave gjatë sezonit veror është shumë e gjatë dhe qytetarët qëndrojnë me orë të tëra në pritje të kalimit të kufirit, njofton presidenca.

    Presidenti Thaçi e siguroi kryetarin e Ulqinit, se do ta trajtojë këtë çështje me vëmendje dhe do ta diskutojë me përfaqësuesit e vendeve fqinje, në rastet më të afërta që do të takohet me ta.

    Gjithashtu, presidenti Thaçi e njoftoi kryetarin e komunës së Ulqinit, që në të ardhmen e afërt do të ketë vizitë zyrtare në Mal të Zi dhe si qytetar nderi i Ulqinit, padyshim që do të vizitojë sërish edhe Ulqinin.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark