
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur për ngjarjet e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku një grup i armatosur sulmoi Policinë e Kosovës.
Thaçi ka ngritur dyshime të forta për mënyrën se si u lejua depërtimi i mbi 80 personave të uniformuar dhe të armatosur thellë në territorin e Kosovës.
“Kosova kishte në dorë edhe shkopin edhe karotën, si ndodhi të shfaqen mbi 80 njerëz të uniformuar dhe të armatosur me dhjetëra kilometra në brendësi të territorit të Kosovës?”, tha ai në Rubikon.
Ai ka kritikuar edhe mënyrën se si u trajtua largimi i pjesëtarëve të këtij grupi.
“Si ndodhi tolerimi i largimit të tyre qetësisht në pikë të ditës sikur të ishin “krushq të lirisë” e jo atakues të lirisë dhe shtetit?”, u shpreh Thaçi.
Thaçi tha se si erdhi deri te “Banjska”, vetëm drejtësia në bazë të një hetimi të thellë dhe të gjerë në bashkëpunim me ndërkombëtaret në një proces transpranet mund ta zbardh të vërtetën.
“Si erdhi deri te kjo ngjarje, vetëm drejtësia në bazë të një hetimi të thellë dhe të gjerë bashkërisht me ndërkombëtarët në një proces transparent mund ta zbardhë të vërtetën. Kosovës e vërteta i duhet më shumë në raport me ndërkombëtarët, sesa për ta kënaqur opinionin publik lokal”, tha ai.