Presidenti Hashim Thaçi të premten ia ka bërë të qartë Listës Serbe se u është dhënë edhe një mundësi e fundit, që të reflektojnë për themelimin e ushtrisë së Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese.
Sipas Thaçit është esenciale që përfaqësuesit politikë të komunitetit serb të mos mendojnë qoftë edhe për një çast të vetëm se institucionet e Kosovës po heqin dorë nga themelimi i Forcave të Armatosura, sepse sipas tij, ky do të ishte gabimi më i madh i tyre.
“Ne me qëllimin më të mirë, në përputhje me Planin e Veprimit, vetëm po e bëjmë procesin krejtësisht transparent, gjithëpërfshirës dhe po i japim edhe një mundësi të fundit themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese. Mirëpo një gjë mbetet e sigurt, nuk do të lejojmë bllokim dhe abuzim më këtë proces nga askush që ka pretendime të tilla”, ka thënë presidenti Thaçi.
Duke folur për një proces transparent Thaçi ka shtuar se themelimi i ushtrisë do që të jetë një moment i bashkimit të qytetarëve të Kosovës, partive politike dhe shoqërisë civile.
“Ne duam që edhe komuniteti serb që jeton në Kosovë të jetë pjesë e këtij procesi dhe të japë mbështetjen e vet nëpërmjet përfaqësuesve të vet politikë, njësoj sikurse të gjitha komunitetet e tjera. FSK-ja, sot është shumetnike, ashtu siç do të jenë nesër edhe Forcat e Armatosura të Kosovës që me krenari do t’iu shërbejnë interesave të qytetarëve të Kosovës në mënyrë të barabartë”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij që nga ndërmarrja e iniciativës ligjore për ushtrinë kanë ndodhur dy kthesa të rëndësishme.
“Zhvillimi i parë pozitiv është fundi i bojkotit dhe rikthimi i Listës Serbe në institucionet shtetërore, ndërsa zhvillimi i dytë është gatishmëria e partnerëve tanë strategjikë ndërkombëtarë që të përfshihen në mënyrë aktive për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës nëpërmjet një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës”, ka thënë Thaçi.