
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot rektorin e ri të Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, bashkë me dekanët e sapozgjedhur
“Kam kënaqësinë t’ju takoj dhe t’ju uroj për zgjedhjen dhe marrjen e detyrës, t’ju përgëzoj për punën që po bëni në universitet dhe t’ju shpreh përkrahjen time”, ka thënë presidenti Thaçi.
Në emër të përfaqësuesve të universitetit, rektori Dema e falënderoi presidentin Thaçi për takimin e shpejtë pas marrjes së detyrës, duke thënë se është shumë e rëndësishme për përmirësimin e cilësisë, që universiteti të zë vend meritor në agjendën institucionale
“Kjo tregon që universitetin e keni lart në agjendë”, u shpreh rektori Dema, njofton presidenca e Kosovës.
Gjithashtu, rektori Dema tregoi se dekanët dhe ai synojnë të avancojnë mësimdhënien, të shtojnë transparencën dhe llogaridhënien, si dhe të rrisin bashkëpunimin ndërkombëtar të universitetit.
Pjesë e takimit ishte edhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i cili, duke rikonfirmuar përkrahjen për universitetin, theksoi se ky institucion tani ka hyrë në një fazë të re të stabilizimit dhe të zhvillimit.
Presidenti Thaçi shprehu përkrahjen për vazhdimin e reformave në Universitetin e Prishtinës, duke shtuar se me punën e udhëheqësve të universitetit “mund të bëhen ndryshime të mëdha”.