
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në takim xhudistet e Përfaqësueses së Kosovës, Majlinda Kelmendi e cila fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian në Rusi dhe Nora Gjakova e cila fitoi të bronztën.
Në këtë takim morën pjesë edhe Driton Kuka, përzgjedhës i përfaqësueses së Kosovës në xhudo së bashku me Agron Kuka, kryetar i FXHK-së.
Thaçi përgëzoi Kelmendin për sukseset e saj të vazhdueshme në xhudo dhe në veçanti për suksesin e fundit si fituese e Medaljes së Artë në kampionatin e xhudos që u mbajt në Rusi.
“Ju jeni nderi i Kosovës, imazhi i Kosovës. Ju jeni ata që ne të gjithë krenohemi”, ka thënë presidenti Thaçi.
Në anën tjetër kampionia e xhudos, Majlinda Kelmeni, ka premtuar se do ti sjell Kosovës edhe shumë fitore të tjera.
“Atje u ngrit flamuri, u lejua edhe himni dhe jam e lumtur që kjo i ka bërë të gjithë qytetarët të lumtur. Kjo medalje ka bërë bujë në Kosovë për faktin që u mbajt në Rusi dhe që atje për herë të parë është dëgjuar himni i Kosovës dhe ka qenë aty prezent flamuri i Kosovës”, tha Kelmendi.
Majlinda Kelmendi ka fituar titullin e kampiones në Kampionatin Evropian në xhudo që është mbajtur më 21 prill në Rusi./Insajderi.com