Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i është kundërpërgjigjur zyrtarëve serbë të cilët reaguan ndaj deklaratës së tij “për bashkimin e shqiptarëve në një hapësirë”, të cilën e ka dhënë gjashtë ditë më parë.
Thaçi, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se “nuk ka asgjë më të pështirë dhe njëkohësisht qesharake, se të dëgjosh dokrrat e Serbisë për gjoja ‘përpjekjet për krijimin e Shqipërisë së Madhe’.”
Sipas Thaçit, diskutimet rreth krijimit të “Shqipërisë së Madhe” janë pjesë e propagandës serbe. Presidenti kosovar thotë se kjo propagandë ka dy qëllime.
“Së pari, të legjitimoj funksionimin e Serbisë së Madhe të krijuar përmes gjenocidit të kryer në Bosnje dhe Hercegovinë. Dhe së dyti, t’i nxis elementet nacionaliste dhe ekstremiste për të destabilizuar dhe cenuar integritetin territorial të Kosovës. Serbisë asnjëherë nuk i ka penguar Shqipëria si shtet i pavarur dhe sovran”, ka thënë Thaçi.
Më tej, presidenti Thaçi ka thënë se përfaqësuesit e shtetit serb kanë shkuar edhe më larg në qëllimet e tyre kundrejt Kosovës.
“Në takimet e dialogut në Bruksel, përfaqësuesit e Serbisë pa fije turpi kanë thënë disa herë se Serbia do të preferonte të dialogonte me Shqipërinë dhe jo me Kosovën. Por, një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur kurrë, sepse Kosova shtet i pavarur dhe sovran është realitet i përhershëm”, ka deklaruar Thaçi.
Ish-kryeministri i Kosovës ka thënë se e ashtuquajtura fushatë “për përpjekjet për krijimin e Shqipërisë së Madhe” është krijuar nga politikanët serbë që kanë shërbyer edhe gjatë kohës së Millosheviqit.
“E gjithë kjo fushatë e orkestruar nga Serbia është e përgatitur nga protagonistët e njëjtë, të cilët 20 vjet më parë kanë ushtruar zanatin e njëjtë. Fatkeqësisht, BE-ja me naivitetin e saj të zakonshëm në raport me Kosovën, po bie pre e kësaj propagande të Serbisë”, u shpreh Thaçi.
Thaçi ka përsëritur se pret “nga BE- ja që ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur e sovran dhe të mos manipulohet kaq lehtë nga Serbia.” /Insajderi.com