
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ripërsëritur të enjten zotimin e tij se si president i Kosovës, do të jetë faktor unifikues dhe garantues i respektimit të ligjeve të vendit.
“Si President i Kosovës do të jem garantues i respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve, mbrojtës dhe përfaqësues i interesave të Kosovës. Do të jem faktor unifikues politik dhe përfaqësues i të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie, feje, race dhe gjinie”, ka thënë ai.
Ai detyrën e presidentit e ka cilësuar si nder e përgjegjësi kombëtare.
“Jam i vetëdijshëm se të jesh President i Kosovës është nder dhe përgjegjësi e madhe politike, kombëtare dhe kushtetuese, por këtë detyrë zotohem se do ta kryej në bashkëpunim dhe komunikim të ngushtë me juve,” ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.
Kjo është deklarata e tij e parë që e bënë nëpërmjet Facebook-ut. Ish-kryeministri i Kosovës dhe ministri i punëve të jashtme, duket se do të vazhdojë të jetë aktiv në këtë rrjet ashtu si në të kaluarën./Insajderi.com