
Pas takimeve të shumta që ka pasur me delegacione të ndryshme pas ceremonisë së inaugurimit të tij si president, Hashim Thaçi është drejtuar nëpërmjet Faceook-ut, qytetarëve duke iu treguar se nga sot nisë një sfidë e re.
Madje për Thaçin, ceremonia e inaugurimit të tij si president është një pasurim i rrëfimit të shtetit të Kosovës.
“Së bashku e kemi pasuruar rrëfimin tonë të ndjeshëm për shtetin, ku zgjedhjet, ceremonitë, festat nacionale janë stolisje e shtetësisë sonë”, ka shkruar Thaçi.
Pas ceremonisë që u hodh edhe gaz lotsjellës nga opozita si tentim për të penguar inaugurimin e Thaçit, presidenti thotë se nisë një sfidë e re.
“Ne kemi kaluar shumë sfida së bashku deri sa e kemi bërë shtetin. Por, sfida jonë e tashme është që t’i bëjmë krenarë gjeneratat e reja me shtetin e tyre, me kualitetin e tyre të jetesës. T’i bëjmë ata pjesë thelbësore të projektit demokratik, të shtetit të së drejtës”, ka shkruar Thaçi.
E si president, Thaçi ka shkruar se do të jetë gjithmonë pranë qytetarëve së bashku me të cilët ai thotë se nuk ka asnjë dyshim që do të dalë “faqebardhë”.