
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për emisionin “Opinion” ka folur për jetën e tij prej fëmijërisë në fshatin Burojë e deri tek bërja e tij president.
Duke folur për aktivitetin e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Thaçi ka thënë se kjo ushtri – për të cilën ka pasur propozime t’i lihen disa emra – në vitin 1992 kur edhe është krijuar celula e parë i ka pasur rreth 20 veta ndërsa 5 vite më vonë kur ka nisur veprimin në terren ka pasur afro 200 veta në rrethin e saj.
“Në vitin 1992 UÇK ka pasur 15 apo 20 veta ndërsa në vitin 1997 ka pasur afro 200 veta”, ka thënë Thaçi.
Ai ka treguar se për herë të parë ka mbajtur armë në vitin 1989, ndërsa më vonë prej vitit 1997 ka mbajtur armë revole dhe automatik.
Sipas statistikave deri më tani janë verifikuar 23 mijë e 684 veteranë luftëtarë, 4 mijë e 339 invalidë, 2 mijë e 142 dëshmorë, 8 mijë e 139 pjesëtarë të UÇK-së, 13 mijë e 186 pjesëmarrës të luftës, në rishqyrtim janë 2 mijë e 852 aplikacione, janë refuzuar 8 mijë e 467 aplikacione.